Një 36-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri mesditën e së premtes në Shkodër. Elis Rroshkodoli po pinte kafe në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, kur u ekzekutua me breshëri plumbash.

Ishte ora 12:30 dhe në lokal ndodheshin edhe klientë të tjerë. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të tjerë të lënduar, ndërsa identiteti i autorit nuk dihet ende.

Ky i fundit ishte i maskuar dhe nga vendi i ngjarjes u largua me makinë. Në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta policore.

Motivet e kësaj vrasjeje nuk dihen.

Por 36-vjeçari Elis Rroshkodoli rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë.

Emri i tij është shfaqur më herët në mediat e huaja. Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2023 në Rumani pasi goditi me thikë pronarin e një rrjeti lokalesh atje, Jean Sasu.

Siç kanë shkruar mediat asokohe, 36-vjeçari e ndoqi shënjestrën e tij për dy ditë. I plagosuri po ecte me një grua, kur shqiptari u ngrit nga tavolina dhe e goditi atë me thikë. Pas kësaj, Rroshkodoli u arratis dhe nuk u kap dot.

Elis Rroshkodoli teksa largohej nga vendi i ngjarjes në Rumani

Rroshkodoli nga ana tjetër ka qenë anëtar i një bande kriminale në Belgjikë, e specializuar në vjedhje. Në vitin 2014 autoritetet njoftuan shkatërrimin e kësaj bande e përbërë më së shumti nga shqiptarë. Mes atyre që përfunduan në pranga ishte edhe 36-vjeçari Rroshkodoli.

Problematik konsiderohej edhe nga policia e Shkodrës. Kjo e fundit raporton se rreth 10 vjet më parë ai dyshohej si autor i plagosjes së 2 vëllezërve.

Pikërisht kjo e shkuar duket se shpjegon edhe pistoletën që policia i gjeti atij në çantën e dorës. Armën viktima e kishte me fishek në fole, gati për qitje.

“Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër. Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.

Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Viktima po ashtu rezulton se ka ndryshuar edhe mbiemrin, nga Haxhija në Rroshkodoli./tvklan.al