17 nëntor 2026 – Tensione e episode përplasjesh mes protestuesve dhe forcave policore janë raportuar mbrëmjen e sotme në tubimin që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Qytetarët vijojnë të dalin në protestë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kryesisht tensionet kanë ndodhur në momentin që policia ka shoqëruar persona drejt komisariatit. Pritet njoftimi zyrtar nga Policia e Tiranës për numrin zyrtar të personave të shoqëruar.
Në bulevard vërehet një numër i konsiderueshëm i uniformave blu, të cilët kanë bërë thirrje drejtuar protestuesve për të mos bllokuar qarkullimin rrugor ndërsa është bërë zhvendosja e tyre nëpër trotuare.
Pas një kohe, protestuesit janë larguar nga bulevardi, ndërsa situata më pas është qetësuar.
Protestat kanë nisur që prej 13 tetorit fillimisht nga studentët që kërkonin kushte më të mira arsimore e dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, e më pas dhe nga qytetarët. Javët e para kanë qenë mjaft intensive sa i përket episodeve të dhunës, djegies e goditjes së institucioneve qeveritare, si dhe përplasjeve të forta me efektivët e policisë.
Nisur nga këto zhvillime, qeveria hartoi një plan masash për ndëshkimin e pjesëmarrësve në tubime të dhunshme. Së fundmi, vetëm grupe të vogla qytetarësh mblidhen përpara kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë. Paralelisht, në protestë u angazhua dha Partia Demokratike duke e konsideruar organizimin në mbështetje të studentëve.
/tvklan.al












Botërori 2026 