Një tërmet i fuqishëm ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të së dielës, duke shkaktuar mbi 20 të plagosur dhe dëme materiale në disa zona.
Lëkundjet me magnitudë 5.7 ballë u regjistruan në orën 01:04 me orën lokale, në prefekturën perëndimore të Shizuokës, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash. Sipas autoriteteve japoneze, tërmeti shkaktoi panik te banorët, ndërsa shumë persona u larguan me nxitim nga ndërtesat. Agjencia e lajmeve Kyodo raportoi se të paktën 20 persona mbetën të plagosur në prefekturat Aichi dhe Shizuoka.
Lëkundjet u ndjenë në një territor të gjerë, duke përfshirë qytetin Hamamatsu, si dhe zona pranë Kiotos dhe Narës, dy ish-kryeqyteteve historike të Japonisë. Tërmeti preku gjithashtu prefekturat Yamanashi, ku ndodhet mali Fuji, dhe Gifu. Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera dyqanesh, ndërsa rrugët ishin mbushur me copa xhami.
Në një librari, qindra libra kishin rënë nga raftet dhe ishin shpërndarë në dysheme. Disa prej të plagosurve ishin rrëzuar në shkallë teksa përpiqeshin të dilnin me shpejtësi nga ndërtesat. Ndërkohë, autoritetet nuk lëshuan paralajmërim për cunami, ndërsa lëkundjet nuk u ndjenë në Tokio.
Pas lëkundjeve, Agjencia Meteorologjike e Japonisë u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në gatishmëri për mundësinë e tërmeteve të tjera të forta gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy deri në tri ditët në vijim. Zyrtari i agjencisë, Ayataka Ebita, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, rënies së gurëve dhe pasojave që mund të shkaktohen nga reshjet e shiut.
Ai bëri të ditur se deri më tani nuk është konstatuar ndonjë ndryshim i dukshëm në zonën e Hendekut Nankai, një zonë nënujore ku takohen dy pllaka të mëdha tektonike dhe ku shkencëtarët paralajmërojnë prej kohësh mundësinë e një tërmeti shkatërrues.
Si masë paraprake, disa shërbime lokale hekurudhore u pezulluan, ndërsa trenat me shpejtësi të lartë Shinkansen vijuan udhëtimin me shpejtësi të reduktuar në zonat e prekura. Kompania hekurudhore JR Central njoftoi se trenat në linjën Tokaido Shinkansen, që lidh Tokion me Osakën, pësuan vonesa në segmentin mes stacioneve Shizuoka dhe Gifu-Hashima, ndërsa po kryheshin kontrolle për sigurinë e infrastrukturës hekurudhore.
/tvklan.al












Botërori 2026 
