Ushtarë dhe ekipe të emergjencës në Japoni vijojnë kërkimet për të mbijetuarit pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 që goditi jugperëndimin e vendit, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe duke lënë shumë persona të tjerë të zhdukur.

Një ditë pas goditjes sizmike në zonën e Kumamotos, në ishullin Kyushu, autoritetet po kontrollojnë ndërtesat e dëmtuara rëndë, qendrat tregtare dhe banesat e shembura, në përpjekje për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se operacionet e shpëtimit janë një “garë kundër kohës” dhe se qeveria do të angazhojë të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë njerëz.

“Ka ende njerëz që presin të shpëtohen. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i gjetur dhe për t’i nxjerrë nga rrënojat”, tha Takaichi.

Sipas autoriteteve, rreth 36,900 banesa vijojnë të jenë pa energji elektrike, ndërsa rreth 9 mijë e 500 shtëpi kanë mbetur pa furnizim me gaz. Në disa zona janë ndërprerë edhe rrjetet e komunikimit.

Mbi 9 mijë persona janë larguar nga banesat e tyre dhe janë strehuar në më shumë se 500 qendra evakuimi. Autoritetet kanë nisur instalimin e burimeve shtesë të energjisë për të mundësuar funksionimin e kondicionerëve, pasi Japonia po përballet edhe me një valë të fortë të nxehti, me temperatura që pritet të kalojnë 32 gradë Celsius.

Ekipet e Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë po punojnë së bashku me shpëtuesit në një qendër tregtare Aeon Mall në qytetin Kashima, ku një pjesë e katit të dytë u shemb pas një shpërthimi që dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e personave që mund të jenë ende të bllokuar.

Në fabrikën e kompanisë Nippon Paper Industries në Yatsushiro, një oxhak u shemb dhe disa persona mbetën nën rrënoja. Sipas ekipeve të emergjencës, shtatë persona dyshohet se janë ende të bllokuar, ndërsa dy të mbijetuar dhe dy trupa janë nxjerrë nga rrënojat.

Qeveria japoneze ka nisur përgatitjet për dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera në zonat më të prekura. Kryeministrja Takaichi shprehu ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, ndërsa u bëri thirrje banorëve të prekur të tregojnë kujdes për shkak të temperaturave të larta.

Shërbimi i trenave të shpejtësisë së lartë Kyushu Shinkansen mbetet i pezulluar, ndërsa aeroporti Aso Kumamoto ka nisur gradualisht rikthimin e operacioneve pas mbylljes së një piste, megjithëse disa fluturime mund të anulohen.