SPAK dhe Policia morën informacion se biznesmeni Ergys Agasi, po fshihej në një vilë në zonën e Shkozetit, në rrugën “Durrësi në Shekuj”, në orën 8:00 të mëngjesit të 28 gushtit.

Përmes një droni, ata nisën të vëzhgojnë vilën, pjesë e një kompleksi dhe sipas raport shërbimit që Tv Klan lexoi, në orën 11:39 të paradites, në katin e dytë të saj është konstatuar të dal prej aty. 

Sipas hetuesve, Agasi, i cili ndodhej prej 8 muajsh në arrati, futet në garazhin nëntokësor të kompleksit mes orës 11:59 dhe 12:02 minuta del me një makinë të tipit Audi A6.

Me makinën ai lëviz drejt rreth rrotullimit të Shkozetit më pas ecën në drejtim të Plepave dhe vazhdon drejtimin drejt autostradës, në aksin Kavajë – Rrogozhinë – Peqin dhe në orën 13:35 mbërrin në Elbasan.

Aty ai futet krah një rruge pranë tregut agroushqimor, por vëzhgimi është ndalur. Grupi i operacionales e ka pritur mjetin në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Nga Elbasani, rezulton se biznesmeni të jetë larguar në orën 18:16 minuta ku sërish është ndjekur deri në zonën e Plepave në Durrës afër orës 19:00 kur edhe është arrestuar në prani të ish policit Ulian Shpataraku.

Ky i fundit iu ka thënë hetuesve që e ka marrë rrugës Agasin dhe nuk kishte dijeni që ishte ai.

“Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person më ka bërë shenjë dhe e kam marrë në makinë. Gjatë rrugës zhvillova një bisedë me të dhe më ka thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Nuk e kam ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, tha ish-polici Ulian Shpataraku.

Biznesmeni Ergys Agasi është në hetim nga SPAK për disa akuza, mes të cilave i dyshuar se drejtonte një grup kriminal që paracaktonte tenderat në institucionin e AKSHI-t.

/tvklan.al