Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj mënyrës së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe administrimit të tenderimeve në fushën e teknologjisë së informacionit.

Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë dhe drejtues të AKSHI-t për përdorimin e procedurave të tenderimit të fshehtë dhe pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e kontratave janë përfituar nga sipërmarrësi Armand Frangu.

“Agjencia kishte një detyrim, standardet e IT-së. Standardet e institutit të teknologjisë të Nju Jorkut, një institut që përcaktonte standardet botërore të mjeteve. Dhe këto standarde miratoheshin nga Këshilli i Ministrave. Agjencia mbikëqyrte vetëm këto standarde. Tani u larguam ne, balozi i zi hyri në AKSHI.

Bajlozi i zi është Armand Frangu, baxhanaku i shoqes Linda Ramës. I cili ishte një sipërmarrës i vogël, punonte gjatë qeverisë sonë, por tani ai duhej të vërsulej në qindra e qindra milionë euro. Brenda dy viteve me vendime të baxhanakut, të gjitha tenderimet në territorin e Shqipërisë në këtë fushë bëheshin, do të bëheshin vetëm nga AKSHI. Vetëm nga AKSHI. Dhe me një kriminele të quajtur Karçanaj, kriminele të vërtetë, që nuk zbatonte asgjë tjetër vetëm zbatonte porositë dhe urdhrat e Lindës, Surrelit, u kalua në praktikën e tenderimit të fshehtë”, tha Berisha.

Berisha ngriti gjithashtu pretendime lidhur me drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke deklaruar se ajo vijon ta drejtojë institucionin ndërsa ndodhet në arrest shtëpie. Akuza e tij vjen në kuadër të kritikave të opozitës ndaj menaxhimit të fondeve publike dhe procedurave të prokurimit në sektorin e teknologjisë.

“Nga asnjë tenderim sekret, kjo Karçanaj që e shihni ju që i bënte Edi Rama avokatinë ka bërë qindra e qindra tenderime sekrete nga paratë e taksapaguesve. Dhe shumicën i ka fituar Armand Frangu. Ja kjo që s’kishte thoshte Edi Rama, kjo që banonte me qira, paçka se kishte katër banesa, në mënyrë më të papërgjegjshme. Një njeri, mos harroni një gjë, 12 vite Linda e Karçanajt, nga dita e emërimit gjer edhe tani është në arrest shtëpie dhe e drejton agjencinë.

Nuk ka vend në të cilin mund të shkruhet libër më i zi për teknologjinë e informacionit sesa Shqipëria”, shtoi kryedemokrati.

/tvklan.al