Goli i shpejtë i shënuar nga Altin Kryeziu nuk i mjaftoi Egnatias në supersfidën kundër Dinamos. Pavarësisht se rrogozhinasit gjetën avantazhin pas 2 minuash lojë, të besuarit e Ilir Dajës përmbysën gjithçka për 4 minuta që në pjesën e parë.

Lorenco Vila shënoi golin e barazimit, ndërsa Klevi Qefalija atë të avantazhit për 3 pikët e rëndësishme.

Në këtë mënyrë, Dinamo rikthehet te fitorja pas 2 humbjeve radhazi në kampionat.

Në ndeshjet e tjera të javës së tetë, Vllaznia mori një fitore të rëndësishme në klasiken përballë Tiranës me golat e Muratajt dhe Mehmetit për të dalë nga kriza në të cilën ndodhej që nga starti i këtij sezoni.

Partizani është në krizë totale pasi edhe këtë herë pësoi një tjetër disfatë duke i çuar në 5 humbjet radhazi në këtë kampionat. Skënderbeu e mundi 0-2 me golat e Totres me penallti dhe Janaqit.

Laçi mundi minimalisht Vorën me golin e Kurtit për të lënë pas krahëve momentin negativ me 3 humbje radhazi, ndërsa e vetmja ndeshje që nuk prodhoi gola ishte ajo mes Teutës dhe Elbasanit, ku bëri debutimin trajneri Glen Daja.

Pas 8 javësh të luajtura, Teuta e Edlir Tetovës vazhdon të udhëheqë kampionatin shqiptar me 20 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Egnatia dhe Dinamo. Në vendin e fundit ndodhet Partizani me vetëm 4 pikë.

/tvklan.al