Rreth 2 vite e gjysmë ka zgjatur divorci i Orges Shehit me Tiranën. Palët janë bindur për t’u rikthyer sërish të bashkëpunojnë, në një nga momentet më delikate të bardheblutëve në vitet e fundit.
Një rikthim në shtëpi për teknikun e njohur, që zë vendin e Ardian Nuhiut, i cili mbylli me konsensus bashkëpunimin me kryeqytetasit. Orges Shehi bëhet i katërti trajner i bardheblutëve deri në këtë pikë të sezonit.
Edicioni nisi me Vangjel Milen, Roberto Bordin dhe më pas Nuhiun, i larguar pas humbjes ndaj Teutës.
Te Tirana shpresojnë që ulja në stol e teknikut Shehi do të sjellë edhe rezultatet pozitive. 48-vjeçari ka një mesatare mbresëlënëse prej 1.85 pikësh për ndeshje. Që nga viti 2021 e në vazhdim, durrsaku ka lënë gjurmë të forta në krye të Tiranës, duke e rikthyer ekipin bardheblu në nivelet më të larta të konkurrencës.
Në tre kampionate nën drejtimin e tij, Shehi ka fituar një titull kampion, ndërsa sezonin e fundit e mbylli si nënkampion me pikë të barabarta me Partizanin, në një garë që u diskutua deri në fund. Po ashtu, ai ka drejtuar Tiranën në një finale të Kupës së Shqipërisë, ku aktivizoi shumë lojtarë të rinj, si dhe ka fituar një Superkupë të Shqipërisë, duke shtuar një tjetër trofe në palmaresin e tij.
Përveç rezultateve, Shehi mban edhe një tjetër rekord të rëndësishëm: trajneri më jetëgjatë në krye të Tiranës, me plot 981 ditë në stol. Në total, ai ka drejtuar skuadrën në 120 ndeshje, duke regjistruar 66 fitore, 24 barazime dhe 30 humbje, statistika që e vendosin mes teknikëve më të suksesshëm të viteve të fundit në futbollin shqiptar.
Tashmë, ai ka në dorë timonin për t’i ndryshuar udhëfatit të Tiranës, momentalisht në zonën e rënies nga kategoria, ku deri në fund janë në lojë 33 pikë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
