Nga Asambleja Socialiste e Tiranës, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një mesazh të drejtpërdrejtë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, pas kritikave të këtij të fundit për modelin e qeverisjes dhe drejtimit të partisë.

“S’e gjykoj dot Erionin për çfarë thotë e çfarë ai bën. Uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS-në.”

Rama ishte i prerë kur tha se kushdo që godet njerëzit e Bashkisë me urdhra nga lart nuk do të ketë vend në familjen politike.

“Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij? Ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të Bashkisë, qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj, apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës.”

Pa përmendur, nuk la as të përjashtuarit nga forumet socialiste, Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën.

“Avokati i Veliajt i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës.”

Socialistëve të Tiranës u kërkoi angazhim maksimal për zgjedhjet e 9 majit, për të cilat shprehu bindjen për fitore.

“Ne do ta fitojmë përsëri Tiranën, sepse, pavarësisht të metave dhe gabimeve, PS-ja nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë në një hapësirë politike ku alternativat e tjera janë të rrezikshme për të nesërmen e vendit, sepse pas tyre vjen kaosi, paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë.”

Rama bëri një bilanc të gjatë të transformimit që ka pësuar kryeqyteti ndër vite, ndërsa theksoi se oferta socialiste për kryeqytetin duhet të shkojë përtej projekteve të nisura, me më shumë mundësi strehimi dhe cilësi më të mirë jetese.

“Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre. Ne nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse.

Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin.”

Pranoi gabimet, por jo mungesën e aftësisë për t’u ringritur.

“Kemi bërë gabime, kemi pasur dobësi, kemi bërë dhe faje për të cilat jemi ndëshkuar padiskutim. Por ne kemi pasur diçka që na ka dalluar nga të gjithë dhe që ne nuk duhet ta humbim kurrë, aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe vazhduar para. Kemi dalë më të fortë nga tërmeti, nga pandemia, nga krizat e duarve të mbrapshta, por edhe nga ato që kemi shkaktuar vetë.”

Në fund, Rama e mbylli fjalën me një mesazh, duke mbajtur në dorë trëndafilin e PS-së.

“Ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë dhe Tirana dhe PS-ja fitojnë vetëm me PS-në në drejtimin e tyre. Faleminderit shumë dhe me trëndafilin në dorë, kurajën në zemër dhe kthjelltësinë në mendje, askush, asgjë, asnjëherë nuk na ndal.”

Tv Klan

/tvklan.al