Gana e nisi me fitore aventurën e saj në Kupën e Botës, duke mposhtur Panamanë me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje dramatike të Grupit L, e zhvilluar në Toronto nën reshjet e shiut.
Heroi i takimit ishte Caleb Yirenkyi, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e pestë të kohës shtesë të pjesës së dytë, duke i dhënë ekipit të tij tri pikë shumë të rëndësishme në ndeshjen e parë të turneut.
Takimi ishte i ekuilibruar dhe me pak raste të pastra shënimi. Panamaja dominoi pjesën e parë dhe krijoi mundësitë më të mira për gol, ndërsa Gana u tregua më aktive pas pushimit. Që në minutën e dytë, portieri Laurence Ati Zigi u detyrua të ndërhynte me një pritje të shkëlqyer për të ndalur një goditje të Cecilio Uaterman. Më vonë, në minutën e 38-të, Jiovany Ramos pati një tjetër rast të mirë për Panamanë, por goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Gana nuk arriti të regjistronte asnjë goditje drejt portës gjatë pjesës së parë, duke u bërë skuadra e parë në këtë edicion të Kupës së Botës që e mbyll një pjesë loje pa tentuar asnjë gjuajtje. Megjithatë, pas rikthimit në fushë, afrikanët ndryshuan ritëm dhe filluan të ushtrojnë më shumë presion mbi kundërshtarin.

Një problem shtesë për Ganën ishte dëmtimi i portierit Ati Zigi, i cili u zëvendësua në pushim nga Benjamin Asare. Pavarësisht kësaj, skuadra ruajti ekuilibrin dhe vazhdoi të kërkonte golin e fitores.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte pa gola, Gana organizoi një kundërsulm të shpejtë në sekondat e fundit. Brandon Thomas-Asante depërtoi në zonë nga krahu i majtë dhe pasoi në qendër për Caleb Yirenkyi, i cili e shtyu topin në rrjetë nga afër, duke sjellë festë të madhe te lojtarët dhe tifozët ganezë.
Menjëherë pas golit pati tensione dhe përplasje mes futbollistëve të të dy skuadrave, ndërsa arbitri më pas sinjalizoi fundin e ndeshjes. Fitorja 1-0 i jep Ganës një avantazh të rëndësishëm në garën për kualifikim nga Grupi L.
Më herët gjatë ditës, Anglia kishte mposhtur Kroacinë me rezultatin 4-2, duke konfirmuar se është një nga favoritët e grupit. Sipas renditjes së FIFA-s në fillim të turneut, Anglia renditej e katërta, Kroacia e njëmbëdhjeta, Panama e 34-ta dhe Gana e 73-ta.
Gana po merr pjesë për herë të pestë në gjashtë edicionet e fundit të Kupës së Botës, ndërsa arritja më e madhe e saj mbetet çerekfinalja e vitit 2010. Nga ana tjetër, Panamaja po luan vetëm Kupën e saj të dytë të Botës, pasi debutoi në vitin 2018.
Në ndeshjet e ardhshme të grupit, Gana do të përballet me Anglinë në Foxborough të Massachusetts, ndërsa Panamaja do të kërkojë pikët e para kundër Kroacisë në Toronto. Fitorja dramatike ndaj Panamasë i jep Ganës besim për sfidat e ardhshme.












Botërori 2026 
