Momente tmerri, përjetuan shumë banorë të Siçilisë si pasojë e përmbytjeve të furishme që i morën jetën 12 personave brenda një nate, asaj mes të shtunës dhe të dielës.

Ngjarja më e rëndë ishte ajo në fshatin Kasteldaça pranë Palermos, ku 9 anëtarë të dy familjeve që jetonin në këtë banesë humbën jetën. Mes viktimave dy fëmijë 3 dhe 15 vjeç.

Uji i një përroi që kalonte pranë banesës së tyre u fry dhe përmbyti furishëm gjithë zonën pranë shtratit. Përmbytjeve i shpëtuan vetëm 3 pjesëtarë që ndodheshin jashtë banesës, të cilët hipën nëpër pemë.

Ujërat e rrëmbyer përmbytën gjatë natës edhe zonën historike të Palermos. Banorët thonë se kurrë nuk kanë parë një situatë të tillë. Autoritetet kërkuan ndërhyrjen e ushtrisë. “Apokaliptike” situata edhe në veri, në rajonin e Venetos ku përmbytjet e rëshqitjet e tokës kanë shkatërruar pyje e kanë lënë pa energji elektrike mbi 5 mijë familje. Moti i keq ka mbërthyer prej më shumë se 2 javësh gjithë Italinë duke shkaktuar dhjetëra viktima e dëme prej miliona eurosh.

Tv Klan