Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka avancuar procesin e kalimit të tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi në fshatrat Shetel dhe Shahinaj, në Bashkinë Shijak.
Për ta ndjekur nga afër procesin në këtë zonë ishte drejtorja e Përgjithshme e ASHK, Lorena Goxhobelli.
“Në këto dy fshatra bëhet fjalë për rreth 522 hektarë tokë bujqësore, të ndarë në afro 1,300 parcela, të cilat janë në proces trajtimi nga strukturat e Kadastrës. Për 630 parcela janë përgatitur tashmë vendimet, të cilat do të afishohen për një periudhë 30-ditore pranë Njësisë”, tha drejtoresha e përgjithshme e ASHK, Lorena Goxhobelli.
Procesi nuk është i kufizuar vetëm në Shijak, paralelisht po punohet dhe në zona të tjera.
“Në Orikum ndërkohë kanë nisur matjet në terren për 261 kërkesa, ndërsa puna vijon edhe në Cahan të Hasit, Fierzë të Tropojës, Shtiqen të Kukësit dhe Zalldardhë të Dibrës. Në Dibër, procesi është shtrirë në njësitë administrative Zall Dardhë dhe Derjan, ku përfshihen 16 fshatra”, tha Goxhobelli.
Në proces pune janë rreth 300 hektarë tokë bujqësore, që pritet t’u kalojë në pronësi përdoruesve të saj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 