Edhe në këtë periudhë të vitit, Vlora vijon të tërheq turistë të huaj, të cilët krahas bregdetit zgjedhin të njohin edhe historinë dhe kulturën e qytetit.

Monumentet historike janë kthyer në ndalesat më të preferuara për vizitorët që mbërrijnë nga vende të ndryshme të Europës.

Dy prej destinacioneve më të vizituara janë lagjja historike “Muradije” dhe Sheshi i Flamurit, ku turistët ndalojnë për të mësuar më shumë mbi historinë e Vlorës dhe rolin e saj në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e vizitorëve udhëhiqen nga guida turistike, të cilat u prezantojnë historinë, arkitekturën dhe vlerat kulturore të këtyre monumenteve.

Interesi për trashëgiminë historike po shoqëron gjithnjë e më shumë vizitat në qytet, duke plotësuar ofertën turistike përtej sezonit veror.

Rritja e interesit të turistëve të huaj për historinë dhe kulturën e Vlorës po konfirmon se qyteti mbetet një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit, duke kombinuar trashëgiminë kulturore me mikpritjen dhe bukuritë natyrore.

Klan News

/tvklan.al