Një prej objekteve më të famshme në historinë e futbollit mund të vendosë një rekord të ri.
Topi me të cilin Diego Armando Maradona shënoi golin legjendar të “Dorës së Zotit” ndaj Anglisë në Botërorin e Meksikës, në vitin 1986, pritet të dalë në ankand me një çmim që mund të arrijë deri në 10 milionë dollarë.
Ankandi do të zhvillohet nga 21 deri më 23 gusht, ndërsa oferta fillestare është vendosur në 2.5 milionë dollarë.
Sipas parashikimeve të Heritage Auctions, shtëpisë së ankandeve me bazë në Teksas, çmimi përfundimtar mund të shkojë në një shifër tetëshifrore.
Bëhet fjalë për topin e përdorur në çerekfinalen mes Argjentinës dhe Anglisë, në stadiumin “Azteca”.
Në atë ndeshje, Maradona e devijoi topin me dorë përballë portierit Shilton, duke i dhënë avantazhin Argjentinës.
Pas ndeshjes, legjenda argjentinase e përshkroi golin me frazën që do të mbetej në historinë e futbollit, pak me kokën e Maradonës dhe pak me “Dorën e Zotit”.
Por i njëjti top ka edhe një tjetër histori të jashtëzakonshme.
Me të, Maradona shënoi vetëm pak minuta më vonë edhe të ashtuquajturin “Goli i Shekullit”, pasi dribloi disa mbrojtës anglezë përpara se të mposhte portierin anglez.
Interesi i koleksionistëve pritet të jetë i jashtëzakonshëm. Fanella që Maradona mbajti në atë ndeshje u shit më parë për 9.3 milionë dollarë, duke vendosur rekordin për një fanellë futbolli.
Tani radha është e topit. Nga 2.5 milionë dollarë nis ankandi, por pritshmëritë janë shumë më të larta, deri në 9, madje edhe 10 milionë dollarë, për një objekt që mbart dy prej golave më ikonë të historisë së futbollit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
