Një ngjarje e rëndë është shënuar sot, më 19 qershor, në Plazhin e Tales në Lezhë, ku paraprakisht raportohet se dy vajza të mitura, përkatësisht 9 dhe 11 vjeç, janë mbytur në det.
Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes tragjike, ndërsa siç raporton gazetari i Klan News, Martin Marku, vajzat janë nga Fushë-Kruja.
“Ky plazh nuk menaxhohet nga privati, e as nga shteti. Një hapësirë e dedikuar për pushuesit, pa asnjë lloj pagese“, tha gazetari.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 12:50, në plazhin e Tales, dy shtetase të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, dyshohet se janë mbytur duke u larë në det.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ngjarja e Shëngjinit
Kjo nuk është ngjarje e izoluar. Vetëm dy javë më parë, të mërkurën e 3 qershorit, në plazhin e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin humbën jetën dy të rinj nga Kosova. Viktimat ishin Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku, përkatësisht të moshës 21 dhe 22 vjeç.
Të rinjtë së bashku me tre bashkëmoshatarë të tjerë u futën në det për t’u larë, por një rrymë e fortë detare i mori përpara.
Dy prej tyre nuk ia dolën dot, ndërsa tre të tjerët u nxorën nga uji dhe u transportuan menjëherë drejt spitalit të Lezhës.
Njëri prej viktimave, Leonit Aliu, ishte i njohur edhe në botën e futbollit, pasi në të kaluarën kishte qenë pjesë e klubit KF Fushë Kosova.
/tvklan.al












Botërori 2026 