Ky është vendi i tragjedisë, ku humbën jetën 46 persona dhe u plagosën 7 të tjerë, pasi autobusi me të cilin ata udhëtonin, doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 3:00 të mëngjesit të kësaj të Marte në autostradën Struma, rreth 60 kilometra larg Sofjes. Shumica e 53 personave që udhëtonin në këtë autobus janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët ktheheshin nga një udhëtim turistik 4-ditor në Stamboll.

Mes të vdekurve 12 janë fëmijë, më të vegjlit 2 binjakë nga 4-vjeç. Një 17-vjeçare është mes të plagosurve, jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Sofjes. Mes viktimave është edhe drejtuesi i mjetit.

Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i tragjedisë mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara mbi 100 kilometra në orë. Dyshime ka se shoferi mund të ketë humbur kontrollin e mjetit pas çarjes së njërës prej gomave, që ka bërë që autobusi të godasë trafikndarëset dhe të kapërcejë njërin krah të tyre. Shpërthimi i zjarrit shkrumboi të gjallë pjesën më të madhe të pasagjerëve mendohet të ketë ardhur pas goditjes nga hekurat të serbatorit të mbushur plot në një karburant rreth një orë para aksidentit.

Ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin krejtësisht të shkrumbuar plotësisht dhe se një tragjedi të tillë nuk e kishte parë kurrë me sytë e tij.

Autobusi ishte në pronësi të firmës “Besa Trans” me qendër në Shkup, që gjatë kësaj të marte kishte ulur qepenat. Mjeti i tragjedisë ishte mes 4 autobusëve që transportuan sëbashku më 19 Nëntor një grup turistësh nga Maqedonia e Veriut në Turqi. Në Bullgari udhëtuan edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev si dhe ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe ai i shëndetësisë Venko Filipçe.

Tv Klan