Kjo është varka me të cilën 13 klandestinët nisën udhëtimin ilegal nga kanali i Butrintit drejt brigjeve të Xarrës, siç duket nga pamjet ajo është prej druri dhe me lopatën e destinuara për peshkim, por që pronarët e saj e kishin modifikuar për trafik klandestinësh duke i vendosur një motorr. Një ditë pas tragjedisë forcat e shpëtimit kanë vijuar kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit nga Lushnja por pa rezultat.

Bashkim Myftari: “Ai i pati thonë të atit që do ikin. I ati nuk donte, edhe kishte gjetur 5 lekë aty i koshin bashkuar bashkë me këta dy komshitë e tija, edhe kishin ardhur. Rrugën e dytët tha që hipën e nuk mbajmë mënd se ça u bë atje kaq”.

Gazetari: U mori në telefon?

Bashkim Myftari: “Jo, jo erdhëm neve që u llafosëm me këta fëmijët që shpëtuan. I bëjmë thirrje gjithë qeverisë, ministrisë ku janë e ku s’janë të bëjnë ça është e mundur me i fjalë të më gjejnë nipin tim Nriçim Myftarin”.

Në fshatin Imesht të Bubullimës, familjarë të të humburit Ndriçim Myftari që duket në këtë foto, por edhe 3 klandestinëve të tjerë nga Lushnja tregojnë për TV Klan se nisja e tyre drejt Sarandës është bërë para disa ditësh.

Sali Mënga: “Po ditë e diel është nisur dhe thanë që e ka marrë të atin në telefon, i ka thënë që akoma nuk jemi nisur, do presim do hidhemi në varkë. Kaq thotë çuni i madh, pastaj tjerat siç jep televizori s’dimë gjë ne tashi neve. Shumë i humbur nuk ish çuni dmth 1 shpresë është tashi. Shpresa te të gjithë”.

Asime Zema: “Para dy ditësh thoshte do iki mami do laj gjysmat e borxheve, do hedh themelin e shpive se na ka ngelur gjysmë themeli thoshte. Kshu iku. Pardje mori në telefon mami mos qani thoshte se s’më hecën mua po qatë ju. Me kë do ikësh moj mami i thoja, e dimë vetë ne moj mami me njëri-tjetrin”.

Agron Mita: “E provojë dhe një herë, e zuri policia greke andeja edhe u fiksua prapë se s’kam ça bëj këtu tha ai, punë s’ka”.

Ndërkohë familjen Bakiu në fshatin Perondi të Beratit e ka pushtuar zija. Familjarë e të afërm të 22-vjeçares Elvira Jaho, i cila u mbyt së bashku me foshnjën e saj 3 muajshe. Janë të tronditur nga ngjarja, bashkëshorti i Elvirës, Dritani është në gjendje shoku prej mbrëmjes së djeshme.

Rexhep Kapedani: “Me keqardhje kur e ndjemë emrin që ishte i shkruajtur në televizion dhe erdhëm menjëherë këtu në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur. Dhëndri ishte me letra edhe vajza e vogël, ndërsa nusja jo, mbesa jo”.

Ngjarja e Butrintit rikthen edhe njëherë në kujtesë tragjedinë e dhimbshme të 9 janarit, ku humbën jetën 21 klandestinë, ashtu si dhe në atë gomone, edhe në varkat e Butrintit, pjesa dërrmuese e klandestinëve ishin jo më shumë se 20-vjeç./tvklan.al