I humburi i tragjedisë së Butrintit 18 vjeçari Ndriçim Myftari mund të jetë gjallë. Shpresat se ai mund t’i ketë shpëtuar mbytjes shtohen me kalimin e kohës. Ekspertë të zhytjes thonë, se nëse do të ishte mbytur trupi i tij tashmë duhet të kishte dalë në sipërfaqe. Palombarët e RENEA-s kanë kontrolluar për të tretën ditë radhazi të gjithë zonën ku u fundos barka me klandestinë, në të cilën gjendej dhe 18-vjeçari nga Lushnja.

Shefi i tyre Sulo Rama, i cili drejton operacionin e kërkimit nuk e përjashton mundësinë që i riu t’i ketë shpëtuar mbytjes dhe të ketë dalë me not në anën tjetër të liqenit. Megjithatë ekipi prej 9 polumbarësh do t’i vazhdojë kërkimet në kanalin e Vivarit.

Në telefon nga Butrinti- shef i palombarëve të RENEA-s

Sulo Rama: “Nga operacioni i kërkimeve për gjetjen e 18 vjeçarit kanë 3 ditë që zhvillohen. Gjer tani nuk është bërë e mundur gjetja e trupit. Kërkimet janë përqendruar në zonën ku është mbytur varka, ka shpresa që ndoshta mund të jetë edhe gjallë. Kërkimet do t’i vazhdojmë deri në momentin që komplet zona të jetë e krehur nga ana e zhytrave.”

Faktin se Ndriçimi mund të ketë mbijetuar e kanë pohuar një ditë më parë në kamerën  tonë dhe 2 nga të mbijetuarit e tragjedisë, shokë të tij.

Gazetarja: “Mendon se mund të ketë kaluar me not në bregun tjetër?”

Denis Zema: “Po.”

Gazetarja: “Pse e thua këtë?”

Denis Zema: “Po ishte djalë i shkathët edhe dinte not.”

Paralelisht me kërkimet në Butrint. Policia është vënë edhe në kërkim të organizatorëve të trafikut të klandestinëve, 2 prej tyre Dashamir Manaj dhe Hismet Sollaku 41 vjeç janë vënë në pranga. Manaj i cili ishte dhe shoqëruesi i klandestinëve është kapur në banesën e tij në Shelkegar të Sarandës ndërsa Sollaku  dyshuar si kreu i trafikut është prangosur në shtëpinë e tij në lagjen “Kombinat” në kryeqytet. Dy trafikantë të tjerë Brahim Madhi dhe Albert Gega janë ende në kërkim./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro