Përmbytja e një varke me klandestinë, ka sjellë një tjetër tragjedi në brigjet shqiptare. Një nënë 22-vjeçare dhe foshnja e saj 3-muajshe nga Lapardhaja e Beratit janë mbytur. Një 17-vjeçar nga Lushnja rezulton i humbur, ndërsa 22 perona të tjerë kanë mundur të dalin të gjallë nga uji. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kanalin e Butrintit, në daljen drejt brigjeve të Xarrës.

24 klandestin të imbarkuar në 2 varka kanë mundur t’i shpëtojnë kontrollit të policisë kufitare të vendosur në Lundrën e Butrintit, por si shkak i mbipeshës njëra prej varkave është përmbysur. Nga hetimet paraprake rezulton se barka e përmbysur ishte prej druri dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve, në të ishin 13 veta mes të cilëve dhe nëna 22-vjeçare Elvira Jaho me foshnjën e saj.

Klodian Branko: “Deri tani janë shoqëruar 24 persona për t’u intervistuar në lidhje me ngjarjen mes tyre shtetasi Ahmet Bushi, 52-vjeç nga Qaf-Gjashta dhe Ilir Meta, 33-vjeç nga Vrina të dyshuar respektivisht si pronari dhe drejtuesi i barkës së përmbysur”.

Policia ka vazhduar gjatë gjithë natës kërkimet për 17-vjeçarin Ndriçim Myftari, por pa asnjë rezultat. Ai nuk figuron në listën e të mbijetuarve, ndërkohë që është konfirmuar nga familjarët dhe klandestinët e mbijetuar, se ka qenë i pranishëm në varkën që është përmbysur. 22 personat e mbijetuar kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Sarandës.

Personat e shoqëruar në polici kanë dhënë deklarimet e tyre lidhur me ngjarjen. Ata ishin nisur në rrugën detare nga Butrinti drejt Xarrës dhe kishin si destinacion Konispolin, nga ku do të kalonin kufirin drejt Greqisë. Klandestinët kishin shmangur kalimin në rrugën tokësore nga Lundra e Butrinti për shkak të kontrollit të policisë kufitare./tvklan.al