Portieri i Andorrës, Jesús Owono, ka thyer heshtjen pas tragjedisë në fushën e futbollit, ku humbi jetën sulmuesi i Tenerife-s, Jesús de Miguel, 30 vjeç, pas një përplasjeje të fortë gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë në Spanjë.
Në një deklaratë të publikuar nga klubi i tij, Owono shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e futbollistit dhe tha se po kalon ditët më të vështira të jetës së tij.
“E kam shumë të vështirë të gjej fjalët për të përshkruar atë që ndodhi. Ndjej një dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesús. Mendimet e mia janë me të, familjen e tij dhe të gjithë njerëzit që e donin”, u shpreh portieri.
Pamjet e aksidentit, që u shpërndanë në mbarë botën, tregojnë momentin kur Owono e goditi pa dashje me gju në gjoks De Miguelin, ndërsa të dy futbollistët po luftonin për topin.
Portieri nga Guinea Ekuatoriale tha se është i vetëdijshëm se do të ketë shumë çështje për t’u sqaruar, por në këtë moment nuk mund të mendojë për asgjë tjetër përveç humbjes së futbollistit dhe dhimbjes që po përjetojnë të gjithë.
“E di që do të ketë shumë çështje për t’u trajtuar dhe do t’i përballoj me respektin maksimal. Por, në këtë moment, sinqerisht, nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveç Jesús dhe dhimbjes që po përjetojmë. Pusho në paqe, Jesús”, tha ai.
Klubi i Andorrës u shpreh gjithashtu i tronditur nga vdekja e De Miguelit dhe u bëri thirrje të gjithëve të tregojnë ndjeshmëri dhe respekt për familjen e futbollistit dhe për portierin.
Ndërkohë, Owono mund të përballet me një pezullim të rëndë sportiv, deri në 12 ndeshje. Në aspektin penal, është hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, megjithëse mundësia që çështja të përfundojë në gjykatë konsiderohet e vogël, pasi në Spanjë nuk ka precedentë të ngjashëm.
Në mbrojtje të portierit kanë dalë edhe shokët e skuadrës. Futbollisti Lautaro Spatz tha se ata që e njohin Owono e dinë se çfarë njeriu është dhe se ai nuk do të donte kurrë t’i shkaktonte dëm dikujt.
Ai e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të paimagjinueshme në një fushë futbolli, duke theksuar se aksidente të tilla mund të ndodhin gjatë lojës, por askush nuk mund të parashikojë se mund të kenë pasoja kaq të rënda.
Ndërkohë, La Liga po shqyrton mundësinë e pezullimit të ndeshjeve të kësaj fundjave, si në kategorinë e parë, ashtu edhe në të dytën, në shenjë zie për humbjen e futbollistit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
