Një ngjarje tragjike është regjistruar në Shkodër sonte më 9 nëntor, ku një 34-vjeçar, me detyrë elektricist i zonës, ka humbur jetën gjatë kryerjes së punës.

Ai është dërguar pa shenja jete në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, rreth orës 20:36. Nga hetimet paraprake dyshohet se elektricisti ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, teksa po riparonte një defekt në një shtyllë elektrike në fshatin Bardhaj.

Sipas policisë, ai ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje që kishin mbetur pa energji elektrike, pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Aksidentet në punë me elektricistët kanë qenë të shumta kohët e fundit, me disa prej tyre që kanë humbur jetën tragjikisht pasi kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë ushtrimit të detyrës.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 20:36, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është dërguar pa shenja jete shtetasi A. N., 34 vjeç, me detyrë elektricist i zonës.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se 34-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, gjatë kohës që po kryente riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike, pasi ai ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje, të cilat kishin mungesë të energjisë elektrike, në fshatin Bardhaj, por pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

/tvklan.al