Një përballje e pazakontë në Gjykatën e Tiranës për shkak të objektit dhe personave të përfshirë. Trajneri i Kombëtares së futbollit Kristian Panuçi ka paditur në këtë gjykatë ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Panuçi kërkon nga ish-numri një i shtetit një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh pasi në 29 Maj pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku kuqezinjtë humbën thellë me rezultatin 3 – 0, Nishani e quajti trajnerin italian “sharlatan që po shkatërronte atë që ishte ndërtuar”.

Pikërisht ky status në rrjetin social Facebook ka shërbyer si provë që Panuçi ta dorëzojë në gjykatë dhe të kërkojë dëmshpërblimin prej 100 mijë euro.

Trajneri i Kombëtares kërkon edhe përgënjeshtrimin e deklaratës së bërë nga ish-presidenti, duke argumentuar se i ishte cënuar reputacioni, nderi dhe personaliteti. Padia do të shqyrtohet nga gjyqtarja Anila Karanxha gjatë muajit Shtator.

Por Tv Klan mësoi pranë zyrës së ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani se edhe ky i fundit do të dorëzojë një padi penale në gjykatë, kunder trajnerit të Kombëtares. Padia penale ndaj tij, do të jetë për ‘Përdhosje të Simboleve Kombëtare’.

Sipas zyrës së ish-presidentit Nishani, kjo padi ndaj Panuçit do të ngrihet për shkak se duke larguar lojtarët më të mirë, trajneri aktual i Kombëtares së futbollit ka degraduar përfaqësimin e Shqipërisë .

Ekipi kombëtar i futbollit është dekoruar nga ish-presidenti Nishani me titullin “Nderi i Kombit”.

Kjo është hera e parë që një trajner Kombëtareje përballet në gjykatë në Shqipëri me një personalitet publik për opinionin e tij, pas një ndeshje futbolli.

Tv Klan