Autoritetet rumune konfirmuan se, të shtunën në mbrëmje, tri anije tregtare u goditën nga dronë pranë bregdetit rumun të Detit të Zi, shkruan Euronews.
Dronët goditën anijet pranë kanalit Sulina të vendit, një rrugë kyçe detare që lidh lumin Danub me Detin e Zi dhe që përdoret nga Ukraina për të eksportuar mallra.
Nuk u raportuan të lënduar, ndërsa ekuipazhet arritën të shuanin zjarret që shpërthyen në bordet e anijeve, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea.
Kryeministri rumun, Luca Niculescu, i cilësoi sulmet me dronë si “të papranueshme” dhe tha se ato shkelin të drejtën ndërkombëtare.
“Ato pasqyrojnë përkeqësimin e situatës së sigurisë, të shkaktuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës,” shkroi ai në X, duke u zotuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme, së bashku me aleatët, për të forcuar sigurinë në Detin e Zi.
“Radarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë diktuan gjithashtu objektiva ajrore në zonë,” tha Niculescu, duke shtuar se Forcat Ajrore Rumune dërguan avionë luftarakë në dy raste të veçanta për të hetuar.
Anijet që u goditën përfshinin cisternën kimike “Evia Petrol V” (që lundron nën flamurin grek), si dhe anijen për transport mallrash të thata “Marsol” dhe cisternën e produkteve të naftës “Ali Najafov” (të dyja nën flamurin e Shën Kits dhe Nevis).
Më herët gjatë së premtes, mediat ukrainase raportuan se një tjetër anije mallrash, “Larissa 1” (nën flamurin e Palaus), u godit nga një dron ndërsa, sipas raportimeve, po lundronte drejt Ukrainës.
Rusia mohoi se ka shënjestruar me dronë vendet fqinje me Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, pritet të takohet me homologët e tij në Bruksel javën e ardhshme, ku pritet të diskutohet situata e sigurisë në Detin e Zi.
“Kemi nevojë për solidaritetin e aleatëve tanë, të shprehur përmes patrullimeve me avionë vëzhgimi dhe pajisjeve për luftën kundër dronëve,” tha Oprea.
/tvklan.al












Botërori 2026 
