Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një përfaqësi e tregtarëve të vegjël durrsakë ka protestuar mëngjesin e sotëm për shkak të urdhrit të bashkisë për mbylljen e përkohshme të tregut për t’i hapur rrugë punimeve rikonstruktuese në këtë zonë. Urdhëresa e bashkisë ka sjellë menjëherë reagimin e tregtarëve, të cilët shprehen se paguajnë rregullisht taksat, ndaj kjo ndërprerje përbën një goditje të rëndë për sigurimin e të ardhurave.

Ndërsa sipas bashkisë, prekja e interesave të një grupi të caktuar, nuk mund të kompromentojë punime të cilat i shërbejnë një qyteti të tërë. Ndaj në këtë rast, lëvrimi i 41 milion lekëve për përmirësimin e infrastrukturës, nuk mund të mbahet pengë nga këta tregtarë, aq më tepër që është gjendur edhe tregu alternativ, njofton bashkia e Durrësit.

“Për realizimin e këtij investimi, bashkia e Durrësit mori vendimin, për shpërnguljen e një pjese të tregtarëve, që tregtojnë në ambientet e kësaj rruge, në një treg të organizuar privat, me kushte shumë më të mira dhe me të njëjtën çmim bilete. Interesi që identifikojë bashkia në këtë rast është shumë i madh dhe prek interesat e të gjithë komunitetit të Durrësit dhe jo vetëm të një grupi të veçantë prandaj nuk mund të pengohet realizimi i planit rregullues të qytetit, zhvillimi i tij, në emër të një grupi të caktuar njerëzish”.

Biznesi i vogël përbën burimin kryesor të jetës në qytetin bregdetar dhe në saj të tij jetojnë mijëra familje durrësake./tvklan.al