Mjeku infeksionit Tritan Kalo ka lajmëruar largimin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, teksa ka theksuar se edhe kësaj here politika bëri të mundur përçarjen e mjekëve.

“4 Marsi shënon edhe fundin e bashkëpunimit tim zyrtar me këtë grup të emërtuar: “Komiteti i përhershëm për Infeksionin e përhapur nga Coronavirusi i ri.

Nëse veproni nga lajtmotivi ndërshekullor, se nuk ka armik më të egër për shqiptarin se vetë shqiptari, ju mëshiroj. Më 31 Janar 2020 është krijuar nga MSHMS një Komitet prej 11 ekspertësh për mirëmenaxhimin e Epidemisë së “Sars-Cov2/Covid-19, në të cilin kam dhënë edhe unë kontributin tim modest si mjek, sepse jam i vetmi që nuk jam drejtues ose funksionar nga të gjithë anëtarët e tij. Si kurdoherë edhe kësaj here ‘po*dhitika’ e bëri të mundur t’i përçajë mjekët në qëndrimet dhe në kontributin e tyre, për t’u përballur me këtë “flamë mbarë botërore. Kemi ekzistencën e njëkohëshme të tre Komiteteve Zyrtare apo jo: 1- atë të Qeverisë aktuale, 2- atë të Presidencës/LSI-së dhe 3- atë të Partisë Demokratike, ose Opozitës në një term më të gjerë”, shkruan Kalo në postimin e tij.

Më tej ai shprehet se nuk do të heqë dorë së kontribuari për mbarëvajtjen e situatës pandemike në vend.

“Unë këtu jam dhe kurrë nuk do heq dorë nga kontributi, për tu shërbyer atyre që besojnë në punën, përkushtimin dhe profesionalizmin tim, por edhe për të dhënë ndihmesën time në mbarëvajtjen e punëve për t’u përballur me këtë pandemi, nëse një gjë e tillë do vijojë ende të më kërkohet”, përmbyll Kalo./tvklan.al