Pas sulmit të SHBA-ve ndaj Iranit në fillim të kësaj jave, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë rënë dakord për një përfundim të shpejtë të luftës në Gaza dhe për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, raporton “Israel Hayom”, duke cituar një burim të afërt me bisedën mes tyre.

Sipas burimit, dy liderët diskutuan në telefon dhe ranë dakord që lufta në Gaza të përfundojë brenda dy javësh. Plani parashikon që katër shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin, të marrin administrimin e Rripit të Gazës pas largimit të Hamasit, udhëheqësit e të cilit do të dërgohen në mërgim, ndërsa të gjithë pengjet do të lirohen.

Megjithatë, disa vende arabe kanë deklaruar më herët se nuk do të marrin pjesë në rindërtimin e Gazës pa praninë e Autoritetit Palestinez dhe pa një perspektivë të qartë drejt zgjidhjes me dy shtete, një ide që Netanyahu e ka refuzuar hapur, duke përjashtuar rolin e Autoritetit Palestinez në Gazë.

Raporti gjithashtu thekson se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, ishin të pranishëm gjatë bisedës së përbashkët, të cilës i referohen si “entuziaste”.

Sipas planit të propozuar, banorët palestinezë të Gazës që dëshirojnë të emigrojnë do të priten nga disa vende të paidentifikuara. Po ashtu, pritet që Arabia Saudite dhe Siria të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin, gjë që do t’u hapte rrugën edhe vendeve të tjera arabe dhe myslimane të ndjekin shembullin.

Në këmbim, Izraeli do të shprehej i gatshëm të mbështeste një zgjidhje me dy shtete, por vetëm nëse Autoriteti Palestinez ndërmerr reforma të thella. Po ashtu, Washingtoni do të njohë sovranitetin izraelit mbi disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Plani ambicioz mendohet të jetë arsyeja pse Trump u shpreh i zemëruar pas raportimeve për një reagim të ashpër të planifikuar nga Izraeli ndaj Iranit pas shkeljes së armëpushimit të përkohshëm. Në një postim në rrjetin “Truth Social”, Trump kërkoi gjithashtu që të ndalet procesi gjyqësor ndaj Netanyahut për korrupsion./tvklan.al

/tvklan.al