Presidenti amerikan Donald Trump u prit me nderime në Tokio nga Sanae Takaichi, gruaja e parë në historinë e Japonisë që mban postin e kryeministres, gjatë një prej ndalesave më të rëndësishme të turneut të tij në Azi.

Takaichi e cilësoi Trump-in si një “sjellës paqeje” dhe njoftoi synimin për ta propozuar për Çmimin Nobel, duke përshkruar marrëdhënien aktuale mes Japonisë dhe SHBA-ve si një “rilindje të aleancës” mes dy vendeve. Ajo theksoi gjithashtu rolin kyç të Trump-it në lehtësimin e armëpushimit mes Kamboxhias dhe Tajlandës, si dhe në ndërmjetësimin për paqe në Rripin e Gazës, duke i cilësuar rezultatet si “të paprecedentë”.

Pas ceremonive zyrtare, të dy liderët konkretizuan angazhimet e tyre: u nënshkrua një marrëveshje dypalëshe që synon “forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe metale të rralla”, si përgjigje ndaj kufizimeve të fundit të vendosura nga Kina, prej së cilës të dy vendet varen për këto burime.

Trump e përshkroi Takaichi-n si “një nga lideret më me ndikim në botë” dhe ritheksoi angazhimin e SHBA-ve për të ruajtur një aleancë “të nivelit më të lartë”. Kryeministrja japoneze e nderoi presidentin amerikan me një shkop golfi që kishte qenë i ish-kryeministrit Shinzo Abe, një çantë të firmosur nga lojtari i njohur i golfit Hideki Matsuyama dhe një top golfi të dekoruar me fletë ari.

Më vonë gjatë ditës, pas takimit në pallatin Akasaka, të dy liderët vizituan bazën detare të Yokosuka-s. Aty, Trump mbajti një fjalim të gjatë ku renditi me ritëm të shpejtë sukseset e SHBA-ve, që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë (madje kërcente edhe në ritmin e këngës së tij të preferuar “YMCA” nga Village People).

Para gjashtë mijë ushtarëve, me një kapelë të bardhë me mbishkrimin “USA”, Trump lavdëroi “miqësinë e pathyeshme mes dy vendeve” dhe theksoi forcën e pakrahasueshme të ushtrisë amerikane. Takaichi përsëriti se “Japonia dhe SHBA-të, si dy komandantë të bashkuar, mbrojnë një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur” dhe konfirmoi angazhimin për ta çuar shpenzimin ushtarak në 2% të PBB-së, një hap që Trump e cilësoi si “të përgjegjshëm dhe të guximshëm”.

Në fjalimin e saj, Takaichi theksoi forcimin e aleancës ushtarake për të kundërshtuar agresionin kinez në Indo-Paqësor.

Trump njoftoi gjithashtu se kishte miratuar porosinë e raketave për avionët luftarakë F-35 të Japonisë dhe mbrojti sulmet e fundit ushtarake ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor, duke kritikuar “të majtën radikale” për pretendimet se sulmet kishin goditur peshkatarë të pafajshëm dhe jo trafikantë droge.

Duke mos lënë jashtë edhe çështjet e brendshme, Trump riktheu një nga betejat e tij të preferuara: atë që ai e cilëson si pasiguri në qytetet amerikane me shumicë demokrate, duke mbrojtur përdorimin e Gardës Kombëtare dhe duke kërcënuar me dërgimin e trupave shtesë nëse është e nevojshme, duke paralajmëruar se “nuk mund të tolerohen qytete në vështirësi”.

Gjatë vizitës, presidenti u takua edhe me familjarët e qytetarëve japonezë të rrëmbyer nga Koreja e Veriut, duke garantuar se SHBA-të “qëndrojnë fort në krah të tyre”.

Kjo vizitë në Japoni është pjesë e një misioni më të gjerë diplomatik që synon, ndër të tjera, një marrëveshje tregtare me Kinën. Pas Tokios, Trump do të udhëtojë drejt Koresë së Jugut, ku të enjten do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, përballja e parë mes tyre që nga fillimi i mandatit të ri të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Shkrim nga Corriere Della Sera

/tvklan.al