Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai turk Recep Tayyip Erdogan zhvilluan një bisedë telefonike gjatë së cilës diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe paktin e mbrojtjes midis Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite.

Presidenca turke deklaroi se Erdogan i tha Trump se shfrytëzimi maksimal i diplomacisë për zgjidhjen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është “i rëndësishëm”.

Erdogan gjithashtu tha se shpreson që negociatat do të vazhdojnë dhe garantoi mbështetjen e Turqisë për përpjekjet për paqe.

Dy presidentët diskutuan edhe për paktin e mbrojtjes që u nënshkrua në Mekë, të cilin Donald Trump e përshëndeti më parë, duke e cilësuar një hap shumë të rëndësishëm per Lindjen e Mesme.

“Presidenti Erdogan tha se Turqia, nëpërmjet Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes që nënshkroi me Pakistanin dhe Arabinë Saudite, demonstron një qëndrim të fortë për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, njoftoi presidenca turke.

President turk Erdogan kishte thënë më parë në një intervistë për Al Jazeera se marrëveshja e Mekës ishte një mesazh I rëndësishëm.

Ai gjithashtu kishte deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një prioritet për Turqinë. Erdogan tha se pas një pritjeje 53-vjeçare, Turqia nuk e ka mbyllur derën, por edhe nëse nuk anëtarësohet në union, kjo nuk do të ishte një problem.

Klan News

/tvklan.al