Në rrjet këtë fundjavë ka qarkulluar thashethemi se presidenti amerikan Donald Trump ka vdekur. Siç raporton “The New York Post”, makineria e konspiracioneve në internet nisi ta përhapte thashethemin e tmerrshëm të premten, pasi Shtëpia e Bardhë publikoi një kalendar bosh pa asnjë aktivitet publik për fundjavën e Festës së Punëtorëve, duke shkaktuar përhapjen e hashtag-ëve si #TrumpIsDead (Trump ka vdekur) dhe #WhereIsTrump (Ku është Trump) në platformën “X”.
Kjo agjendë e zbrazët për fundjavën u publikua katër ditë pas paraqitjes së fundit publike të Trump, që ishte gjatë një takimi të kabinetit të martën.
Por ata që e urrejnë Trump-in mbetën të zhgënjyer kur u shfaq një foto e tij të shtunën në mëngjes, në të cilën shihej i veshur me një bluzë sportive të bardhë, pantallona të zeza dhe kapelen e kuqe të famshme me “MAGA” të shkruar mbi të.
Në foto Trump shfaqej përkrah mbesës së tij 18-vjeçare, Kai Trump, teksa shkonin në klubin e golfit “Trump National” në Sterling, Virxhinia.

Ndonëse Trump nuk ishte shfaqur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten, ai kishte postuar në platformën “Truth Social” për një vendim të një gjykate federale të apelit që e cilësoi të paligjshëm programin e tarifave tregtare, duke paralajmëruar se heqja e tyre do të ishte një “katastrofë totale për vendin.”
Siç shkruan “Telegraph”, thashethemet për shëndetin e Trump-it dolën vetëm disa ditë pasi zëvendëspresidenti i tij JD Vance, ngriti dyshime gjatë një interviste televizive, ku tha se ishte gati të merrte presidencën në rast se ndodhte një “tragjedi e tmerrshme”.
Vance këmbënguli se shefi i tij, 79 vjeç, është në “gjendje të mirë fizike” dhe theksoi se Trump është “personi i fundit që bën telefonata natën dhe i pari që i bën në mëngjes”.
“Po, po ndodhin tragjedi të tmerrshme,” tha Vance. “Por unë ndihem shumë i sigurt që presidenti i Shteteve të Bashkuara është në gjendje të mirë, do ta përfundojë mandatin e tij dhe do të bëjë gjëra të mëdha për popullin amerikan”.
“Dhe, nëse Zoti na ruajt, ndodh ndonjë tragjedi, nuk mund të mendoj për një trajnim më të mirë në detyrë se sa ai që kam marrë gjatë 200 ditëve të fundit.”/tvklan.al












Botërori 2026 
