Negociatat tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kanë hyrë në një fazë të ndërlikuar, pas ndërhyrjes direkte të presidentit Donald Trump, i cili ka vendosur të marrë personalisht në dorë këtë dosje.

Një burim europian, i përfshirë në bisedimet që komisioneri Maros Sefcovic zhvilloi të enjten në Uashington, tha për mediat ndërkombëtare: Trump po kërkon shumë më tepër se sa kishin kërkuar deri tani përfaqësuesit e tij. Dhe shumë më tepër nga çfarë mund të pranojmë ne. Ky është një problem serioz.

Zyrtarisht, Komisioni Europian vazhdon të mbajë një ton optimist, duke deklaruar se marrëveshja është ende e mundur, por duke pranuar se “hapi i fundit është gjithmonë më i vështiri”. Në një takim të mbyllur me ambasadorët e vendeve anëtare, Sefcovic ka shpjeguar se BE-ja po përpiqet të negociojë për të ulur tarifën bazë të propozuar nga SHBA-të nga 30% në 10%, duke mbrojtur sektorët më të ndjeshëm si industria automobilistike, farmaceutika dhe ushqimet. Në këmbim, Europa është e gatshme të heqë tarifat për disa mallra amerikane.

Por problemi kryesor është vetë Trump. Ndërsa përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Greer, mban një qasje më të moderuar, dhe ministri i Tregtisë Lutnick kërkon 15%, Trump është më ekstrem: ai do të vendosë një tarifë prej të paktën 20%, sidomos për produktet ushqimore, ku nuk pranon asnjë përjashtim sektorial.

Trump ka vendosur si afat datën 1 gusht, ku do të shpallë publikisht marrëveshjet për tarifat e reja, dhe kërcënon se nëse vendet nuk i hapin tregjet e tyre, do të përballen me tarifa deri në 35% ose 40%. Presidenti amerikan ka paralajmëruar se do të dërgojë “letrat famëkeqe” edhe dy vendeve të tjera, si pjesë e strategjisë së tij të presionit.

Në anën tjetër, BE-ja përballet me një dilemë të vështirë: çdo marrëveshje do të ketë kosto të larta ekonomike. Komisioni Europian po analizon se çfarë niveli asimetrie janë të gatshme të pranojnë shtetet anëtare për të shmangur një përplasje të hapur me SHBA-në.

Dy lista me kundërmasa të mundshme nga ana e BE-së janë gati, por deri më tani është shmangur zbatimi i tyre. Megjithatë, qëndrimi i shteteve europiane po ashpërsohet. Edhe Gjermania, tradicionalisht më e kujdesshme, ka filluar të flasë për përdorimin e “mjetit kundër koercionit ekonomik”, një nga armët më të forta që Europa ka në dispozicion për të reaguar ndaj presioneve tregtare.

Ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, duke folur në G20 në Durban, paralajmëroi për pasojat e një lufte tregtare të mundshme: “Jemi të shqetësuar për ndikimin e pasigurisë dhe tensioneve tregtare. Dobësimi i dollarit po shton efektet e rritjes së tarifave”, tha ai.

Situata është në një pikë kritike dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse do të arrihet një kompromis apo nëse do të nisë një përshkallëzim i ri i luftës tregtare mes dy blloqeve më të mëdha ekonomike të botës./tvklan.al