Përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë sërish në një fazë pasigurie, pasi presidenti amerikan Donald Trump ndryshoi qëndrim për negociatat me Teheranin. Deri të mërkurën, një nga mundësitë e diskutuara ishte zhvillimi i një takimi në Doha, ku zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mund të ulej në bisedime me Mohsen Rezaein, një prej figurave më të ashpra të sigurisë në Iran.

Sipas gazetës “Wall Street Journal”, ideja ishte që Uashingtoni të negocionte drejtpërdrejt me Rezaein, në rast se ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Ghalibaf, nuk do të arrinin të gjenin një zgjidhje. Rezaei shihej si një figurë me ndikim që kundërshton marrëveshjet me SHBA-të.

Megjithatë, të enjten në mëngjes, Trump ndryshoi qëndrim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaroi se SHBA-ja nuk kishte më nevojë për një marrëveshje me Iranin.

“Nuk kemi nevojë për një marrëveshje me Iranin. Ato kohë kanë kaluar prej kohësh. Ne kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe Ngushticën e tyre”, shkroi presidenti amerikan.

Trump tha gjithashtu se Vance duhet të përqendrohet te lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në qytetet që drejtohen nga demokratët në SHBA. Ndryshimi i qëndrimit të presidentit amerikan vjen pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit dhe në një kohë kur administrata amerikane duket e paqartë për drejtimin që duhet të marrë konflikti me Iranin.

Uashingtoni nuk ka vendosur ende nëse duhet të kërkojë përfundimin e luftës përmes një marrëveshjeje apo të vazhdojë presionin ndaj Teheranit pa hyrë në një përballje të re të drejtpërdrejtë. Pasiguria është reflektuar edhe në tregjet e naftës, ku çmimi i naftës Brent është rritur drejt 94 dollarëve për fuçi.

Mes SHBA-ve dhe Iranit mbetet një dallim i madh mes dëshirës për të shmangur një luftë të re dhe gatishmërisë për të arritur një marrëveshje. Asnjëra palë nuk duket e interesuar për një përplasje të drejtpërdrejtë, por asnjëra nuk është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj.

Në administratën amerikane, ku qëndrimin e ashpër e mbështesin sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe drejtori i CIA-s John Ratcliffe, po shqyrtohet një strategji presioni afatgjatë ndaj Iranit. Ajo parashikon vazhdimin e bllokadës detare, ngrirjen e aseteve financiare dhe kufizimin e aksesit në disa platforma apo sisteme iraniane, me synimin për të dobësuar Teheranin ekonomikisht pa nisur sulme të reja ushtarake.

Por për Iranin, mbijetesa nën presionin ekonomik nuk konsiderohet e mjaftueshme. Autoritetet iraniane vazhdojnë të këmbëngulin në plotësimin e shtatë kushteve të tyre përpara se të ulen në tryezën e negociatave. Kreu i forcave Basij, Hossein Taeb, përsëriti të enjten se nuk mund të ketë bisedime për sa kohë që SHBA-ja nuk pranon të gjitha kërkesat e Republikës Islamike.

Ndërkohë, nga Teherani kanë ardhur edhe kërcënime të reja. Forcat e armatosura iraniane paralajmëruan se çdo sulm i ri ndaj vendit do të marrë një përgjigje dhjetë herë më të fortë. Një deputet iranian shkoi edhe më tej, duke deklaruar se në rast të një përballjeje të re, nuk do të kishte as trupa për t’u kthyer.

Edhe Asambleja e Ekspertëve në Iran ka hedhur si mundësi tërheqjen e vendit nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Ky zhvillim do të përbënte një tjetër përshkallëzim të situatës dhe do të shtonte shqetësimet ndërkombëtare për programin bërthamor iranian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, përdori një proverb korean për të kritikuar vendet që, sipas tij, po përfshihen në çështjet e rajonit. Deklarata e tij erdhi në një kohë kur Koreja e Jugut po shqyrton mundësinë e dërgimit të flotës së saj kundër piraterisë deri në Oman.

“Harabeli që ndjek lejlekun përfundon duke thyer këmbët”, u shpreh Baghaei, pa dhënë më shumë hollësi për mesazhin e tij.

Tensionet vijojnë edhe në Ngushticën e Hormuzit, ku dy anije cisternë nafte kanë goditur mina. Ndërkohë, qyteti portual Sirik, në bregdetin jugor të Iranit, ka raportuar se është goditur nga ajo që autoritetet vendase e cilësuan si “zjarr armik”.

Në këtë situatë, Izraeli mbetet një tjetër faktor i rëndësishëm në zhvillimet e konfliktit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se vendi i tij nuk ka nevojë për miratimin e opozitës apo të ndonjë autoriteti ligjor për të kryer sulme. Deklarata vjen në një kohë kur qeveria izraelite ndodhet në një fazë tranzicioni.

Pavarësisht deklaratave të ashpra nga Uashingtoni dhe Teherani, nga Katari vijojnë të këmbëngulin se kanali diplomatik mbetet i hapur dhe se tryeza e negociatave në Doha është ende në dispozicion të palëve.

/tvklan.al