Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po humbet besimin te negociatat me Iranin, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë presionin ndaj Teheranit.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar në rezidencën presidenciale Camp David, Trump tha se aftësitë ushtarake të Iranit janë dëmtuar rëndë pas muajve të fundit të sulmeve amerikane.
“Po humbas besimin te ata, sepse gënjejnë dhe paraqesin gjëra të gabuara. Raketat e tyre janë reduktuar ndjeshëm. Kanë ende disa, por shumë më pak se katër apo pesë muaj më parë. Kapaciteti i tyre i prodhimit është pothuajse i shkatërruar, po ashtu edhe ai i dronëve. Nëse kanë qoftë edhe një raketë, për mua është tepër. Irani është në një gjendje shumë të keqe. Kanë qenë të pandershëm dhe të vështirë në negociata, por kjo nuk ndryshon faktin se po kalojnë një periudhë shumë të vështirë.“
Në të njëjtën mbledhje, presidenti amerikan njoftoi se Izraeli ka dhënë mbështetjen për një marrëveshje që synon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze në Rripin e Gazës.
Sipas tij, procesi do të zhvillohet me faza.
“Kemi një mirëkuptim me Izraelin dhe ata janë shumë të kënaqur me këtë. Shumë njerëz mendonin se çarmatimi i Hamasit ishte i pamundur, por ne e kemi bërë të mundur. Sigurisht që do të ketë vështirësi, sepse situata është shumë komplekse, por ky është një përparim i madh për Lindjen e Mesme.“
Presidenti amerikan komentoi edhe kërkesën e Ukrainës për të prodhuar në vend raketat Patriot PAC-3. Ai konfirmoi se Uashingtoni nuk ka marrë ende një vendim për transferimin e kësaj teknologjie, duke argumentuar se bëhet fjalë për sisteme shumë të ndjeshme ushtarake.
“Askush tjetër nuk e ka këtë kapacitet. Këto armë janë të jashtëzakonshme dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm përpara se t’ia lejojmë dikujt t’i prodhojë. Nuk kemi rënë dakord për këtë. Po e diskutojmë, por është shumë e vështirë të transferosh një teknologji të tillë, sepse një ditë ajo mund të përdoret edhe kundër teje.“
Deklarata vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi bisedime me zv/presidentin amerikan JD Vance për nevojën urgjente të Kievit për sisteme të mbrojtjes ajrore.
/tvklan.al












Botërori 2026 