Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të nxjerrin në treg një pjesë të rezervave të tyre të naftës diesel, ndërsa po shqyrton mundësinë e kufizimit të eksporteve amerikane të këtij karburanti.

Deklarata vjen në një moment kur çmimet e dieselit kanë arritur nivele rekord në Britaninë e Madhe, ndërsa konflikti me Iranin ka shtuar presionin mbi furnizimet globale me karburante.

Britania e Madhe është veçanërisht e varur nga importet e dieselit dhe rreth 31% e këtyre importeve vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Në total, më shumë se gjysma e dieselit të përdorur në Britani importohet.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të jenë të gatshme të nxjerrin menjëherë në treg një pjesë të rezervave të tyre. Sipas tij, fermerët, transportuesit dhe bizneset amerikane nuk duhet të përballojnë të vetëm pasojat e rritjes së çmimeve.

Trump u pyet të enjten nëse do t’u kërkonte vendeve evropiane të përdornin rezervat e tyre të dieselit. “Mund ta bëjmë këtë. Ata kanë diesel”, u përgjigj presidenti amerikan.

SHBA-të është një nga furnizuesit kryesorë të dieselit në tregun botëror dhe eksporton rreth 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Nëse eksportet amerikane do të ndaloheshin, një sasi më e madhe karburanti do të mbetej në tregun amerikan, gjë që mund të ulte çmimet brenda vendit.

Por ekspertët paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të ketë efekt të kundërt në tregjet ndërkombëtare. Mungesa e furnizimeve amerikane mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve të dieselit në Evropë dhe në vende të tjera që varen nga importet.

Në Britaninë e Madhe, çmimi mesatar i dieselit ka arritur në 199.79 pens për litër, sipas të dhënave të RAC, nga 142.38 pens më parë.

Qeveria britanike ka deklaruar se nuk ka arsye për shqetësim lidhur me një mungesë të mundshme të dieselit, edhe pse pritet që çmimet të vazhdojnë të rriten. Autoritetet britanike po diskutojnë me partnerët evropianë për mënyrën se si mund të përballohet situata nëse SHBA-ja vendos të kufizojë eksportet.

Edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar se po zhvillohen kontakte dhe takime të shumta për situatën e furnizimit me diesel, përfshirë komunikime me zyrtarë të administratës amerikane.

Presioni mbi tregun global mund të shtohet edhe nga Kina, pasi rafineritë kineze, sipas raportimeve, kanë ndaluar eksportet e tetorit për disa produkte të karburanteve, duke i dhënë përparësi furnizimit të tregut vendas.

Në të njëjtën kohë, ndërprerjet e furnizimeve nga Rusia, një tjetër furnizues i madh i dieselit, kanë shtuar presionin mbi çmimet.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të naftës dhe gazit në botë. Mbyllja e saj ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Dieseli është veçanërisht i rëndësishëm për transportin e mallrave dhe bujqësinë, ndaj kërkesa për të është e vështirë të ulet shpejt.

Britania e Madhe ka katër rafineri, të cilat prodhojnë më shumë benzinë sesa kërkon tregu vendas, por nuk prodhojnë mjaftueshëm diesel për nevojat e vendit. Në fund të qershorit, në rrugët britanike qarkullonin rreth 15.1 milionë automjete me diesel, nga 15.7 milionë një vit më parë.

Numri i makinave diesel ishte rreth 9.8 milionë, krahasuar me 10.4 milionë një vit më parë.

/tvklan.al