Financimi nga buxheti, rruga do të jetë me pagesë

Qeveria ka vendosur që të ndërtojë tunelin e Llogarasë me paratë e buxhetit të shtetit.

Burime zyrtare për televizionin Klan kanë konfirmuar se projektohet që në fund të këtij viti të nisë ndërtimi i tunelit, vepër e cila do të rrisë zhvillimin e turizmit përgjatë bregdetit të jugut.

Në mbledhjen e ditës së mërkurë, Këshilli i Ministrave ka vendosur që t’i japë një fond prej 7.5 milionë Dollarësh hartimit të studimit të fizibilitetit dhe projektit të detajuar inxhinierik të veprës, i cili do të nxjerrë koston e ndërtimit dhe të ardhurat potenciale që do të vilen nga kalimi i automjeteve në tunel.

Kalimi i mjeteve të transportit rrugor në tunelin e Llogarasë do të jetë me pagesë, por tarifa dhe kostoja e projektit ende nuk është përllogaritur.

Qeveria do të vendosë të çelë fondin për financimin e ndërtimit të tunelit në rishikimin e buxhetit në fund të muajit Qershor.

Projekti i ndërtimit të tunelit të Llogarasë i bashkangjitet edhe një tjetër vepre infrastrukturore në zonën e jugut, segmentit Dukat – Orikum e cila lidh tunelin në pjesën e fshatit Dukat dhe afron Vlorën me zonën bregdetare të Himarës me 30 minuta.

Njëkohësisht me investimet në rrugë, qeveria parashikon edhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit u hap në Dhjetor të vitit të shkuar por u pezullua për shkak të situatës së krijuar të Covid-19.

Pritet që në fund të këtij muaji Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të rihapë garën për ndërtimin e kësaj vepre.

Tv Klan