Kupa e Botës sapo ka nisur, por mund të ketë gjetur tashmë viktimën e saj të parë të madhe në pankinë. Humbja e rëndë 5 me 1 e Tunizisë ndaj Suedisë rrezikon seriozisht të kushtojë vendin e trajnerit Sabri Lamouchi.
Sipas mediave lokale, drejtuesit e Federatës Tuniziane të Futbollit kanë thirrur një mbledhje urgjente për të shqyrtuar të ardhmen e teknikut francez, i cili mori drejtimin e kombëtares në janar të këtij viti.
Disfata ndaj Suedisë është regjistruar si humbja më e thellë e Tunizisë në historinë e pjesëmarrjeve të saj në Kupën e Botës.
Pas ndeshjes, Lamouchi ia atribuoi rezultatin gabimeve individuale të lojtarëve dhe një brishtësie taktike të skuadrës. Megjithatë, këto deklarata nuk kanë mjaftuar për të qetësuar kritikat dhe pakënaqësinë që po rritet rreth përfaqësueses së Afrikës së Veriut.
Trajneri ishte vënë në shënjestër të kritikave edhe më herët, pas humbjeve në ndeshjet miqësore ndaj Austrisë me rezultatin 1 me 0 dhe Belgjikës 5 me 1.
Në rast shkarkimi, mediat raportojnë se posti i trajnerit mund t’i besohet zëvendësit të tij, Wahbi Khazri. Tunizia ndodhet në Grupin F, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Suedinë, dhe aktualisht është skuadra e vetme pa asnjë pikë.
Sfida e radhës do të luhet më 21 qershor ndaj Japonisë, një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare jo vetëm për fatin e skuadrës, por edhe për të ardhmen e trajnerit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
