Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka dhënë detaje mbi ecurinë e bisedimeve intensive mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas tij, procesi ka arritur në një pikë delikate ku sinqeriteti i palëve po testohet.

“Negociatat kanë arritur në një pikë kritike. Kjo tashmë është diçka e njohur botërisht. Ajo që vlen të theksohet është se të dyja palët po i vijojnë bisedimet me qëllime serioze dhe sinqeritet; ata kanë vullnetin për të vazhduar. Jo vetëm palët e përfshira, por e gjithë bota është e lehtësuar nga armëpushimi aktual. Natyrisht, vazhdimësia e tij është e rëndësishme për të gjithë”.

Edhe pse procesi konsiderohet i avancuar, koha duket se nuk është në favor të diplomatëve. Fidan theksoi se afati i armëpushimit që skadon javën e ardhshme nuk mjafton për të mbyllur të gjitha kapitujt e hapur.

“Një armëpushim dyjavor është diçka e mirë, por dosja që ata kanë përpara është aq gjithëpërfshirëse, sa nuk do të jetë e mundur që të gjitha këto çështje të zgjidhen brenda dy javësh. Prandaj, do të jetë e nevojshme një shtyrje e re e afatit. Jam optimist se kjo shtyrje do të vijë. Megjithatë, disa pika duhen sqaruar. Shohim që negociatat janë kryesisht drejt përfundimit, por ka ende dallime mendimesh për një ose dy çështje shumë kritike”.

Turqia po luan një rol kyç si ndërmjetëse rajonale, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë shprehen skeptikë se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të arrihet shpejt.

Klan News

/tvklan.al