25 nëntor 2026 – Erion Vishkulli, personi që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë dëshminë e tij. 28-vjeçari ishte i shoqëruar nga avokati i tij Dorian Matlija, ndërsa marrja në pyetje zgjati rreth 2 orë.
Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Vishkulli ka folur për mediat, duke theksuar që do të vazhdojë të kërkojë drejtësi. Ndër të tjera, 28-vjeçari nga Elbasani, ka lënë në “pikëpyetje” pjesëmarrjen e tij në protestën kombëtare të 28 nëntorit, duke u shprehur se ende nuk është në gjendje optimale dhe po vazhdon kontrollet.
“Unë kërkoj drejtësi. Protesta e radhës? I kam dhënë mesazhet që në fillim, vetëm fitore, Shqipëria është e jona, është edhe e jotja, është e të gjithëve. Nuk e di a do të marr pjesë në protestë, të shohim si do të jem me gjendjen. Unë i vazhdoj ende kontrollet, tani momentalisht nuk ndihem mirë. Do më mbanin 2 orë, e pashë që nuk isha në gjendje dhe më lanë të dilja”, tha Vishkulli.
Vishkulli dorëzon kartelën mjekësore nga Italia në Prokurori
Erion Vishkulli ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës kartelën mjekësore të përgatitur nga mjekët në Itali, ku u trajtua pas dëmtimit në sy gjatë protestës së 24 tetorit.
Sipas një burimi jozyrtar, dokumentacioni është administruar nga grupi hetimor që po heton plagosjen e katër protestuesve me plumba gome.
Megjithatë, hetuesit ende nuk e kanë të qartë nëse përshkrimi në kartelë, ku përmendet ‘plumb gome’, lidhet me pretendimin e familjarëve në momentin e regjistrimit të 28-vjeçarit apo përbën një konstatim përfundimtar të mjekëve. Për këtë arsye, Prokuroria është në pritje të letërporosisë për të marrë informacionin e nevojshëm nga autoritetet italiane, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Në dëshminë e tij, Vishkulli ka treguar se kishte marrë pjesë në protestë dhe ka shpjeguar vendndodhjen ku ndodhej në momentin e plagosjes. Ai ka rrëfyer gjithashtu se ishte goditur në kokë dhe se dëmtimi i pësuar ishte serioz dhe kishte vënë në rrezik jetën e tij.
Kujtojmë se pas plagosjes, 28-vjeçari u nis drejt Romës, ku qëndroi për disa ditë. Pikërisht në kryeqytetin italian, Vishkulli kreu dy operacione në syrin e dëmtuar, ndërsa kontrollet deri në stabilizimin shëndetësor vazhdojnë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
