Një djalë 6-vjeçar, i cili u zhduk për pesë ditë, u gjet në një pyll në Vietnam. Dan Tien Lam, i cili jeton në provincën Yen Bai po luante në një përrua bashkë me 9 motrat e vëllezërit, kur më 17 Gusht u zhduk në kodrat ku po qëndronte.

BBC shkruan se ai u gjet të mërkurën nga banorët vendas të cilët dëgjuan të qarat e një fëmije teksa po pastronin fushat me kanellë pranë pyllit.

Lam u gjet i ulur në disa shkurre, rreth 6 kilometra larg nga vendi ku u zhduk. Ai ishte dobësuar aq shumë fizikisht saqë nuk mund të qëndronte dot në këmbë.

“Jam shumë i lodhur, nuk mund të qëndroj dot. Ju lutem më mbani”, ka thënë i mituri sipas Ly Van Nang, një fermeri i cili gjeti djaloshin.

Lam mbijetoi duke ngrënë gjethe dhe fruta të egra si dhe duke pirë nga uji i përroit. Në rrjetet sociale janë publikuar disa foto ku të voglit i ofrohet ushqim.

Policia tha se ishte një mrekulli që Lam u gjet i gjallë, duke shtuar se tashmë ai është në gjendje të stabilizuar.

Autoritetet kishin mobilizuar më shumë se 150 persona për gjetjen e të voglit./tvklan.al