Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s po merr përmasa të reja. Edhe pse ende nuk ka një projekt zyrtar, në qarqet e federatave europiane po qarkullon ideja për organizimin e një Kupe Bote alternative, jashtë kontrollit të FIFA-s, nëse presidenti i saj Gianni Infantino nuk tërhiqet nga planet që kanë shkaktuar kundërshtime të forta.

Sipas raportimeve, UEFA po shqyrton mundësinë që të krijojë një kompeticion të ri global nëse konflikti politik në futboll nuk zgjidhet. Një lëvizje e tillë do të ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj monopolit të FIFA-s mbi turnetë më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Ideja lidhet me kundërshtimin e një plani të FIFA-s për krijimin e një strukture të re me pjesëmarrje private, që do të menaxhonte aspektet tregtare të kompeticioneve të saj. Federatat më të mëdha në botë e kanë refuzuar këtë skenar, duke kundërshtuar futjen e kompanive private në administrimin e futbollit.

Një Botëror pa skuadrat dhe yjet europianë do të humbiste ndjeshëm vlerën e tij. Europa përfaqëson një pjesë të madhe të elitës së futbollit botëror, me kombëtare si Franca, Spanja, Anglia, Gjermania dhe Italia, ndërsa lojtarë si Kylian Mbappé, Lamine Yamal dhe Jude Bellingham janë ndër figurat kryesore të këtij sporti.

Nëse projekti do të merrte formë, ideja është që turneu alternativ të përfshijë rreth 24 kombëtare, duke u ngjasuar me formatin e përdorur në Botërorin e vitit 1994. Në të mund të merrnin pjesë skuadrat më të mira europiane, por edhe përfaqësuese të fuqishme nga Amerika e Jugut, Azia dhe Afrika.

Nga ana tjetër, FIFA po përpiqet të ruajë mbështetjen e federatave përmes një strategjie financiare. Sipas raportimeve, institucioni i drejtuar nga Infantino mund të ofrojë më shumë fonde për federatat që mbështesin projektet e saj dhe më pak për ato që qëndrojnë jashtë.

Megjithatë, fuqitë kryesore të futbollit botëror duket se janë të gatshme të shkojnë deri në fund për të penguar një ndryshim të madh në mënyrën e menaxhimit të këtij sporti.

Një përplasje e tillë do të përbënte krizën më të madhe institucionale në historinë moderne të futbollit, duke ngritur edhe pyetjen nëse FIFA mund të ruajë kontrollin absolut mbi kompeticionet ndërkombëtare.

/tvklan.al