Raportim Live

Rebelët Huthi konfirmojnë sulmin e dytë me raketa ndaj Izraelit

Rebelët Huthi të Jemenit konfirmojnë se kanë kryer një sulm të dytë në disa pjesë të Izraelit jugor sot.

Yahya Saree, zëdhënës i Forcave të Armatosura të Jemenit, u shpreh se grupi lëshoi “një breshëri raketash lundrimi dhe dronësh” që synonin “disa vende të rëndësishme ushtarake” që i përkisnin Izraelit.

Ai shton se sulmet “përkuan” me ato të operacioneve ushtarake përkatëse të Iranit dhe Hezbollahut, dhe se ato “i arritën me sukses objektivat e tyre”.

Deklarata në llogarinë e tij në Telegram vjen pas raportimeve në mediat izraelite dhe amerikane për një raund të dytë sulmesh të rebelëve Huthi, disa orë pasi konfirmuan se kishin lëshuar raketën e tyre të parë drejt Izraelit që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin.

Më herët gjatë ditës së sotme, Izraeli tha se kishte kapur një raketë që vinte nga Jemeni.

Ishaq Dar: Pakistanit i është dhënë akses më i madh në Ngushticën e Hormuzit

Pakistani ka marrë lehtësim më të madh për qasje në Ngushticën e Hormuzit, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Ishaq Dar.

Dar njoftoi se Irani “ka rënë dakord të lejojë 20 anije të tjera nën flamurin pakistanez të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”. Ai shtoi se kjo do të thotë që “dy anije do të kalojnë ngushticën çdo ditë”.

Deri më tani, Irani nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për këtë marrëveshje, raporton BBC.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ka qenë në praktikë e mbyllur nga Irani që nga fillimi i konfliktit të fundit.

Rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) të botës zakonisht kalon përmes kësaj ngushtice, por trafiku ditor ka rënë me rreth 95% gjatë këtij konflikti.

Zëvendëskryeministri Dar e përshkroi marrëveshjen me Iranin si një “parashikim të paqes”, i cili do të ndihmojë në sjelljen e stabilitetit në rajon.

Sakaq, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka ofruar vendin e tij si vend për bisedime të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

download app

Komanda Qendrore e SHBA-ve: Janë goditur më shumë se 11 mijë objektiva në luftë me Iranin

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom), ka raportuar një përditësim lidhur me Operacionin Epic Fury, veprimin e tyre të vazhdueshëm ushtarak në Iran.

Centcom shprehet se:

U goditën më shumë se 11 mijë objektiva

Kryen më shumë se 11 mijë fluturime luftarake

Dëmtuan mbi 150 anije iraniane

Drejtori i OBSH: 51 punonjës shëndetësorë libanezë u vranë këtë muaj, përfshirë 9 sot

Nëntë ndihmës mjekësorë janë vrarë sot në jug të Libanit, sipas drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në një postim X, Tedros Adhanom Ghebreyesus shton se kjo e çon numrin e personelit shëndetësor të vrarë në Liban këtë muaj në 51, duke e bërë atë muajin e dytë më vdekjeprurës për punonjësit e shëndetësisë në vend që kur OBSH filloi t’i monitorojë ata në tetor 2023.

“Sulmet e përsëritura ndaj kujdesit shëndetësor po e prishin rëndë ofrimin e shërbimeve në Libanin jugor”, u shpreh Ghebreyesus.

“Punonjësit e shëndetësisë janë të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe nuk duhet të jenë kurrë shënjestër.”

IDF: Mbi 250 objektiva të goditura në Iran dhe Liban këtë fundjavë

Ushtria izraelite thotë se ka goditur më shumë se 250 objektiva iraniane dhe të Hezbollahut këtë fundjavë.

Në një përditësim, IDF thotë se ka përfunduar “dhjetëra valë sulmesh në shkallë të gjerë” në të gjithë Libanin dhe Iranin.

Në Iran, thuhet se ka goditur mbi 100 objektiva, duke përfshirë “vende prodhimi raketash balistike, raketa të gatshme për t’u lëshuar” dhe “objekte magazinimi raketash”.

Sakaq, në Liban thuhet se “u goditën më shumë se 170 objektiva të Hezbollahut”.

Ushtria shton se “katër divizione të IDF-së po operojnë në Libanin jugor për të thelluar aktivitetin tokësor të synuar dhe për të eliminuar terroristët”.

Të paktën 47 persona të vrarë dhe 112 të plagosur nga Izraeli këtë të shtunë në Liban

Në raportin e saj të fundit ditor, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se të paktën 47 persona u vranë dhe 112 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite të kryera këtë të shtunë.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të viktimave në 1 mijë e 189 të vrarë dhe 3 mijë e 427 të plagosur në Liban që nga fillimi i ofensivës izraelite më 2 mars.

Midis të vdekurve janë 124 fëmijë dhe 86 gra, si dhe 51 punonjës shpëtimi.

Raketa e dytë huthi është hedhur drejt Izraelit

Grupi rebel Huthi në Jemen ka hedhur një raketë të dytë drejt Izraelit, sipas raportimit të BBC.

Grupi i mbështetur nga Irani ka lëshuar një raketë lundrimi drejt Izraelit, e cila u rrëzua, disa orë pasi ky grup qëlloi një raketë balistike në hapësirën e tij ajrore, thonë mediat.

Më parë, Huthitët thanë se kishin qëlluar një breshëri raketash balistike “që synonin vende të ndjeshme ushtarake izraelite” në përgjigje të shënjestrimit të Izraelit ndaj Iranit, Libanit, Irakut dhe territoreve palestineze.

Izraeli tha se kishte kapur një raketë nga Jemeni.

Izraeli sulmon selinë e Iranit për armë detare

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se kanë goditur selinë e Organizatës së Industrive Detare (MIO) të regjimit iranian në Teheran.

“Ky seli është përgjegjës për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e një game të gjerë armësh detare”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

Selia e MIO-së u godit si pjesë e “një vale sulmesh në shkallë të gjerë” që synonin infrastrukturën në të gjithë kryeqytetin e Iranit gjatë natës, shtohet në deklaratë.

Anija luftarake amerikane mbërrin në ‘zonën e përgjegjësisë’

Anija luftarake USS Tripoli ka mbërritur në “zonën e përgjegjësisë” të Komandës Qendrore të SHBA-ve.

Një vendndodhje më specifike nuk është zbuluar, por e ashtuquajtura zonë përgjegjësie shtrihet në të gjithë Afrikën verilindore, Lindjen e Mesme dhe Azinë qendrore e jugore.

Mediat amerikane raportuan më parë se anija do të udhëhiqte një grup të gatshëm për anije amfibe që do të vendosej në Lindjen e Mesme. Njësia e kryesuar nga USS Tripoli zakonisht përbëhet nga rreth 5 mijë marinarë të shpërndarë në disa anije luftarake.

Anija luftarake më parë ishte e bazuar në Japoni.

Sulm me dronë ndaj klinikës pranë shkollës fillore në Iran

Një klinikë pranë Shkollës Fillore “Shajareh Tayyebeh” në Minab të Iranit është goditur sërish, sipas autoriteteve iraniane.

Zëvendësguvernatori për Çështje Politike, Sigurie dhe Sociale në provincën jugore Hormozgan, Ahmad Nafisi, deklaroi se sulmi ka shkaktuar “dëme në depot e magazinimit” të klinikës.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), Nafisi ka thënë se në sulmin ndaj kompleksit mjekësor janë përdorur “disa dronë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

“Fatmirësisht, ky sulm nuk ka shkaktuar viktima”, u shpreh ai.

Zona ishte evakuuar më herët pas një sulmi vdekjeprurës ndaj shkollës fillore më 28 shkurt, kur nisi dhe ofensiva ndaj Iranit.

U shënuan të paktën 168 viktima, mes tyre rreth 110 fëmijë.