Mario rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” një histori dashurie, jo të vetën, por të vëllait, Ervisit. Ai tregon se Ervisi është njohur me bashkëshorten, Blerinën apo Rinën siç i thërrasin qëkur ishte 14 vjeç. Ata janë bashkë prej 20 vitesh, të pandarë dhe ashtu hyjnë  edhe në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan,  të kapur për dore.

Duke qenë se Rina feston 40-vjetorin që përkon edhe me përvjetorin e tyre të martesës, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke i marrë nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt e në studio për t’u dhënë një mesazh.

Mario: Vëlla, ti nuk ke kërkuar asgjë në jetë. Ke sakrifikuar gjithçka, ke bërë çdo gjë për familjen, ke qenë model i shkëlqyer për t’u ndjekur. Je kryefamiljar shumë i mirë, për burrë i mirë duhet të flasë Ministria e Brendshme, por je një vëlla shumë i mirë, je një djalë shumë i mirë, je ai njeriu me zemër të madhe që do të donte çdo njeri ta kishte afër. Prandaj, për t’ju shprehur mirënjohjen dhe për ditëlindjen që Rina ka gëzimin dhe Rina ka qenë ajo ëmbëlsia e shtëpisë sonë dhe për mbështetjen që të ka dhënë sepse ne, babi dy djem, vëllai dy djem, unë djalë, e vetmja gjë që na e zbukuroi shtëpinë ishte ardhja e nuses së  vëllait, Rinës që ishte një dashuri. E kam si motër, ne të dy grindemi, por grindesh me njerëz që çmon dhe do kështu që e vetmja mënyrë për t’ju thënë që ju dua shumë, ishte t’ju rrëmbeja në Rinas dhe t’ju sillja këtu tek Arditi se e di që s’keni  nevojë për asgjë. Uroj të jeni të dashuruar gjithë jetën, jeni të lumtur me dy çunat!

Blerina: Faleminderit, edhe ti! Unë të falënderoj, të kam si vëlla, jemi si motër e vëlla siç e them, jemi rritur bashkë. Faleminderit shumë!/tvklan.al