Tallulah Willis, vajza e aktorit të njohur Bruce Willis, ka kërkuar falje publikisht pasi publikoi në rrjetet sociale një fotografi personale me të atin, i cili prej kohësh po përballet me demencën frontotemporale (FTD).
32-vjeçarja kishte ndarë të shtunën në Instagram një fotografi ku shfaqej duke mbajtur dorën e babait të saj, ndërsa të dy qëndronin ulur në një lëkundëse në ambient të hapur. Megjithatë, fotografia u fshi të nesërmen, pasi Tallulah kuptoi se kishte ndarë një moment tepër intim të jetës së tyre familjare.
Përmes një reagimi në Instagram, ajo shpjegoi arsyen e publikimit dhe më pas vendimin për ta hequr fotografinë.
“Përshëndetje, dje publikova një fotografi të babait tim, sepse kaluam një vizitë shumë të bukur së bashku”, shkroi ajo.
Tallulah tregoi se dikush i kishte bërë një fotografi gjatë një momenti të veçantë, teksa po shikonin një video të këngëtarit Frankie Valli.
“Isha shumë e emocionuar nga bukuria e atij momenti dhe nuk mendova më tej se ndoshta ishte një fotografi tepër intime për t’u ndarë me të tjerët”, u shpreh ajo.
Vajza e aktorit pranoi se duhej të kishte treguar më shumë kujdes për privatësinë e familjes, duke shtuar se do të përpiqet të mos përsërisë të njëjtin veprim.
“E kuptoj këtë dhe premtoj se do të veproj më mirë në të ardhmen. E di që të gjithë e doni atë. Unë e dua. Familja ime e do. Dhe ai mbetet gjithmonë heroi i jashtëzakonshëm që ne njohim”, përfundoi Tallulah.
Bruce Willis po përballet me demencën frontotemporale
Aktori 71-vjeçar u tërhoq nga aktrimi në vitin 2022, pasi nisi të përjetonte probleme me aftësitë njohëse. Një vit më vonë, familja bëri të ditur se ylli i filmit “Die Hard” ishte diagnostikuar me demencë frontotemporale (FTD).
Në atë kohë, familjarët shpjeguan se vështirësitë në komunikim ishin vetëm një prej simptomave të sëmundjes me të cilën po përballej aktori.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS), demenca frontotemporale prek zona të trurit që lidhen me të folurin, aftësitë mendore, kujtesën, personalitetin dhe sjelljen. Ndryshe nga format e tjera të demencës, kjo sëmundje mund të shfaqet edhe në moshë më të re. Shumica e rasteve diagnostikohen te personat nga 45 deri në 65 vjeç.
Në nëntor të vitit 2023, Tallulah kishte deklaruar se ishte e rëndësishme që familja të fliste hapur për gjendjen e të atit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për demencën frontotemporale.
Aktualisht, nuk ekziston një kurë për këtë sëmundje dhe as trajtime që mund të ndalojnë përparimin e saj.
Bashkëshortja kujdeset për aktorin 24 orë në ditë
Kujdesi kryesor për Bruce Willis është marrë përsipër nga bashkëshortja e tij, Emma Heming Willis, e cila ka folur vazhdimisht për sfidat që familja po përjeton.
Ajo ka treguar se një nga vendimet më të vështira të jetës së saj ishte zhvendosja e bashkëshortit në një banesë të veçantë, njëkatëshe, ku ai mund të marrë kujdes të specializuar gjatë 24 orëve të ditës.
Megjithatë, Emma ka theksuar se kjo nuk do të thotë se familja është larguar prej tij. Ajo kalon kohë me aktorin çdo ditë, duke ngrënë mëngjes dhe darkë së bashku.
Gjithashtu, sipas saj, Bruce vazhdon të ketë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të dashur me të gjithë familjarët.
“Ai na mban duart. Ne e puthim. E përqafojmë”, ka treguar Emma, duke përshkruar mënyrën se si familja vazhdon të ruajë lidhjen emocionale me aktorin pavarësisht sëmundjes.
/tvklan.al












Botërori 2026 
