Zjarret e shkaktuara nga vala e të nxehtit afrikan me temperatura rekord deri në 40 gradë kanë vënë në alarm autoritetet në Kosovë dhe Serbi. Dhjetëra forca zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga ato të ushtrisë dhe vullnetarë po përpiqen të shuajnë vatrat e zjarrit të përhapura në të gjithë territorin e Kosovës.

Më e prekura është zona e Dragashit në jug të vendit, ku deri më tani zjarret kanë shkrumbuar mbi 500 HA pyje me pisha ndërsa rrezikojnë të përhapen edhe përtej kufirit me Shqipërinë.

Lulzim Rifaj: “Përpjekjet janë bo maksimale dhe nga ana e ekzekutivit, komunës dhe asambleja e komunave ka.. mbledhje të jashtëzakonshme, kanë trajtu, kanë mobilizu qytetarët, ka bo përpjekje me FSK, sidomos angazhimi maksimal ka qenë i zjarrfikësave dhe punëtorët e pylltarisë, por megjithatë fuqia e zjarrit e ka bo të vetën kështu që s’kemi mund me shpëtu më shumë.”

Në disa zona ka patur madje edhe shpërthime të shkaktuara nga minat e tendosura nga ushtria serbe gjatë konfliktit të viteve 1998- 1999 duke vënë në rrezik jetën jo vetëm të banorëve të zonës por edhe të forcave që po përballen me zjarret.

Situata edhe më e vështirë paraqitet në Serbi ku prej disa ditësh forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë po përpiqen të vënë nën kontroll zjarrin masiv në pyjet e Parkut Kombëtar të Tarës në Serbinë Perëndimore, përgjatë kufirit me Bosnjën.

Deri më tani në këtë zonë janë djegur rreth 1 000 HA me pisha. Në këtë zonë kanë mbërritur edhe zyrtarë të lartë të qeverisë përfshirë edhe kryeministrin Ivica Dacic dhe kreun e departamentit të emergjencave në Ministrinë e Brendshme Pedrag Mariç.

Pedrag Mariç: “Jemi përpjekur të shuajmë disa vatra në këtë zonë me ndihmën edhe të helikopterëve dhe avionëve, por sipërfaqja e flakëve është mjaft e madhe. Shtëpitë nuk janë në rrezik të drejtpërdrejt, por operacionet nga ajri po vazhdojnë pa ndërprerje.”

Në ndihmë të forcave serbe kanë ardhur edhe dy avionë zjarrfikës nga Rusia të tipave Beriev Be 200 dhe Iljushin 76. Këto janë edhe pamjet satelitore të zjarreve në Ballkan të publikuara nga agjencia hapësinore amerikane NASA. Në to dallohet qartë reja e tymit që ka mbuluar pjesën perëndimore të gadishullit, si pasojë e flakëve masive në disa shtete kryesisht në Bosnjë./tvklan.al