Fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuarit nga vapa përvëluese që ka përfshirë vendin tonë ditët e fundit. Duke marrë shkas nga kjo situatë me temperatura të larta, Instituti i Shëndetit Publik jep disa rekomandime dhe kujdesin që duhet bërë.

Gentiana Qirjako, Instituti i Shëndetit Publik: Kuptohet të gjithë njerëzit janë të rrezikuar nga temperaturat e larta, por veçanërisht të rrezikuar janë ato grupe që ne i quajmë grupe vulnerabël, apo grupet e cenueshme siç janë të moshuarit, fëmijët apo pacientët që kanë sëmundje kronike. Së pari rekomandohet të përdoret sa më shumë uji, pasi pengon dehidratimin, paralelisht rekomandojmë shmangien e përdorimit të kafesë dhe të pijeve alkoolike. Një këshillë tjetër që jepet është shmangia e qëndrimit në mjediset e jashtme në momentet kur temperaturat janë shumë të larta. Për vende si Shqipëria rekomandohet shmangia e qëndrimit në këto mjedise nga ora 11:00 deri në orën 18:00 pasdite.

Ndër të tjera, për të përballuar këtë valë të të nxehtit afrikan duhet konsum i ushqimeve sa më të shëndetshme dhe të freskëta.

Gentiana Qirjako, Instituti i Shëndetit Publik: Një rekomandim shumë i mirë është ushqyerja e shëndetshme, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës rekomandohet marrja e ushqimeve të lehta, të lëngshme dhe sa më shumë fruta e perime. Një rekomandim tjetër për të sëmurët kronikë, të vazhdojnë mjekimin me ilaçe në mënyrë të rregullt siç bëjnë gjatë ditëve të dimrit sepse temperaturat e nxehta ndikojnë pikërisht në ecurinë e këtyre sëmundjeve kronike.

Instituti i Shëndetit Publik ndër të tjera nënvizon se nëse konstatoni probleme shëndetësore duhet të kontaktoni mjekun e familjes ose urgjencën kombëtare.

Klan News