Kërkimet për gjetjen e 18 vjeçarit Ndriçim Myftari, i cili rezulton i humbur që prej të dielës në mbrëmje pas përmbytjes së varkës me klandestinë në liqenin e Butrintit, tashëm janë në ditën e katërt të tyre. Palombarët e RENEA-s kanë krehur të gjithë liqenin  ndërkohë që prej mëngjesit të së mërkurës kërkimet janë përqendrua në kanalin e Vivarit.

Palombarët kanë arritur të gjejnë deri më tani rrobat e 18- vjetarit Ndriçim Myftari, 20m në thellësi të liqenit. Që prej së martës në mbrëmje në vendngjarje ka shkuar dhe kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, i cili ka urdhëruar ardhjen e palombarëve shtesë. Për shkak të cilësive të liqenit, baticave dhe zbaticave të tij, palombarët kryejnë 2 seanca kërkimore në ditë, ndërkaq pas identifikimit të katër autorëve të dyshuar si anëtarë të këtij trafiku, policia ka vënë në pranga dy prej tyre.

Klodian Branko: “Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i 2 shtetasve të kërkuar Dashamir Mane, 23 vjeç, lindur e banues në Sarandë. Ndalimi i tij është bërë në fshatin Selegar Sarandë i fshehur në një banesë. Hyshmet Sollaku 41 vjeç, lindur në Fier e banues në Tiranë, ndalimi i tij është bërë në lagjen Kombinat Tiranë, i fshehur në një banesë. Strukturat e policisë vazhdojnë operacionin në të gjithë territorin e vendit për kapjen e 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim shtetasi Brahim Madhi dhe shtetasi Albert Gega.”

Numri i të mbijetuarve në tragjedinë e Butrintit ka shkuar në 4, pasditen e së martës palombarët kanë nxjerrë 2 të mbytur të tjerë, Festim Hoxhën 20 vjeç nga fshati Vidhas i Fierit dhe Amarildo Kukën 18 vjeç nga fshati Kutrian po i Fierit./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako