Vdekja e shqiptarit Florenc Beqiri në rrethana të paqarta në një qendër pritje të azilkërkueseve në Marsejë të Francës ka ngjallur reagimin e Shoqatës së Forumit të refugjatëve, të cilët kërkojnë hetim të plotë për këtë rast.

Sipas mediave lokale, kjo shoqatë e kontraktuar nga shteti për të dhënë ndihmë juridike shtetërore për personat që ndodhen në paraburgim, ka kërkuar të hidhet dritë mbi rastin e shqiptarit nga Shkodra që u gjend i varur në këtë qendër pritje.

Edhe familja e tij ka kontraktuar një avokat, i cili do të ngrejë padi kundër qendrës së pritjes së refugjatëve, të cilët deklarojnë se s’ka asnjë dyshim që është një vetëvrasje, edhe prokuroria franceze ka nisur një hetim.

Por askush nuk i beson variantit të vetëvrasjes.

22-vjeçari u arrestua nga policia franceze, tri javë më parë pasi nuk kishte dokumente qëndrimi, edhe pse jetonte dhe punonte prej afro 2 vitesh në Marsejë. Për tri javë Florenc Beqiri u mbajt në një burg të Marsejës dhe katër ditë më parë u dërgua në spital në gjendje kome.

22-vjeçari Florenc Beqiri, që punonte prej me tepër se një vite në një treg në Marsejë sipas të afërmeve ishte njohur me vendimin e riatdhesimit në Shqipëri dhe e kishte pritur mirë ata dhe madje ishte i lumtur që për Krishtlindje do të ishte pranë familjes së tij.

Në një reagim të sajën, ambasada franceze në Tirane njofton se në ditët në vijim për të riun do të kryhet autopsia, ndërkohë që hetimi do të vazhdojë për rrethanat e kësaj tragjedie.

Ndërkohë vdekja e Florenc Beqirit ka ngjallur dhe një reagim të madh publik dhe politik në Shqipëri. Sot të rinjtë e Partisë Demokratike zhvilluan në Kukës një homazh protestë, ndërsa Presidenti i Republikës është angazhuar personalisht për zbardhjen e këtij rasti dhe kthimin e trupit të Beqirit sa më parë në atdhe.

Tv Klan