Ndryshon rrjedha e hetimeve për vdekjen e 61-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, pasi fillimisht u raportua se ai kishte humbur jetën si pasojë e një sulmi nga një ari në një zonë pyjore.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar një plagë në trupin e viktimës, që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë nëse 61-vjeçari është qëlluar me armë zjarri dhe më pas është sulmuar nga kafsha e egër, apo nëse ngjarja ka ndodhur në rrethana të tjera.

Sipas dyshimeve paraprake, pas plagosjes, Fiku ka tentuar të largohej në drejtim të banesës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, raporton gazetari i Klan News Neki Feta.

Deri më tani, disa persona janë shoqëruar në polici, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.

“Bulqizë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në Bulqizë, ku shtetasi U. F., 61 vjeç, dyshohej se kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), bëjmë me dije se:

Nga hetimet e kryera deri në këto momente nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se 61-vjeçari perveç dëmtimeve të dyshuara se janë të shkaktuara nga kafsha e egër,  është konstatuar një plagë e shkaktuar me armë zjarri.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj“, njofton policia.

Gjatë ditës së djeshme, u raportua se një burrë kishte humbur jetën, pasi ishte sulmuar nga një ari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:10 të ditës së djeshme, 3 nëntor, kur Spitali i Bulqizës ka njoftuar Policinë se familjarët e Urim Fikut, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ai ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër, dyshohet ari.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë konstatuar se 61-vjeçari kishte ndërruar jetë.