10 nëntor 2026 – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë kërkesë Sekretariatit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe SPAK-ut, që të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së që zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor.
Ai kërkon që të jetë prezent fizikisht ose përmes një video-konference.
“Masa e arrestit nuk duhet të më privojë nga e drejta e ushtrimit të detyrave politike”, mësohet se ka thënë kreu i bashkisë më të madhe në vend.
“Të më krijohet mundësia të ndjek diskutimet, të marr fjalën dhe të paraqes propozime”, ka shtuar Veliaj.
Duhet theksuar se së fundmi, Veliaj ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama, fill pas vizitës së ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, në ambientet e qelisë në Fier. Sipas Veliajt, Gogu në rolin e “lajmësit”, i ka përcjellë ato që ai i quan shantazhe të kreut të qeverisë. Të qartë e ka bërë se nuk intimidohet nga Rama dhe se “nuk do t’i delegojë kompentencat e detyrës që mban”, edhe pse ndodhet pas hekurave.
Ndërkohë, Rama u pyet lidhur me këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.
Zgjodhi ta injorojë si moment duke u përgjigjur ekzaktësisht kështu:
Dua të them që qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë çdo ditë me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur këtu sot në konferencë shtypi.
Objektivi historik i bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Europën dhe moslejimi i humbjes së një mundësie historike.
Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju!
Përtej sa më sipër, socialistët pritet të diskutojnë mbi organizimin e brendshëm të partisë, strategjinë për zgjedhjet vendore të 9 majit, si dhe intensifikimin e angazhimit të strukturave në terren. Në fokus pritet të jetë edhe koordinimi mes drejtuesve politikë në qarqe dhe mobilizimi i bazës së partisë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet.












Botërori 2026 
