Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë qëndrimin e tij lidhur me nismën për Reformën e re Administrative-Territoriale.
Në përgjigje të kërkesës së Kuvendit për të dhënë opinionin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Veliaj thekson nevojën për respektimin e të gjitha hapave që kërkon Kushtetuta dhe ligji për miratimin e një nisme të tillë. Për këtë ai thekson se një rëndësi të veçantë ka konsultimi real publik me banorët e zonave që preken nga harta e re.
“Ka momente në ushtrimin e një mandati publik kur detyrimi ndaj institucionit, ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve që të kanë besuar votën e tyre përputhen natyrshëm. Por ka edhe momente, kur respektimi i këtij detyrimi kërkon që të thuash qartë atë që mendon, edhe kur mendimi yt nuk është domosdoshmërisht më i lehti për t’u dëgjuar nga njerëzit me të cilët ke ndarë dhe vazhdon të ndash të njëjtën përgjegjësi politike. Këtë shkresë e konsideroj një moment të tillë.
Hartimi dhe depozitimi i zgjidhjes territoriale përpara marrjes së mendimit të popullsisë krijon rrezikun që konsultimi të kthehet në formalitet. Neni 108 i Kushtetutës kërkon marrjen e mendimit më parë dhe jo ‘ex-post’”.
Në relacionin prej tetë faqesh, Veliaj thotë se dokumenti i paraqitur në Kuvend nga socialistët prek arkitekturën institucionale, ndaj çdo hap që hidhet në këtë drejtim duhet të jetë i mirëmenduar.
“Projektligji propozon kalimin nga 61 në 46 bashki. Ai parashikon se bashkia, si njësi bazë e qeverisjes vendore, përbëhet nga “qytetet”. Pra, nuk kemi vetëm një hartë të re, por një arkitekturë të re institucionale: bashki, qytet dhe njësi administrative ose fshatra. Këtu nuk kemi vetëm një model të ri që mbetet për t’u plotësuar në të ardhmen, por një mospërputhje të drejtpërdrejtë me ligjin në fuqi për vetëqeverisjen vendore.
Ndërsa ligji në fuqi ndërton strukturën Bashki-Njësi Administrative-Qytet/Fshat, projektligji ndërton strukturën Bashki-Qytet-Njësi Administrative/Fshat. Kjo mospërputhje nuk mund të lihet për t’u zgjidhur pas miratimit të hartës. Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot”.
Bashkia e Tiranës, sipas propozimit të socialistëve, do të ketë nën administrimin e saj edhe zonën e Rinasit. Por kryebashkiaku kërkon që më parë të bëhet një vlerësim për impaktin që ka ky ndryshim, si nga ana administrative ashtu edhe nga ana financiare.
“Përpara se Bashkia Tiranë të japë një mendim të plotë dhe të argumentuar, duhet t’i vihet në dispozicion një vlerësim i posaçëm mbi popullsinë dhe territorin e prekur, kompetencat dhe shërbimet që do të transferohen, pasuritë dhe detyrimet, ndikimin mbi të ardhurat dhe shpenzimet vendore. Raporti që shoqëron projektligjin e paraqet marrjen e mendimit të popullsisë si një proces që do të plotësohet përpara shqyrtimit përfundimtar në seancë plenare. Kjo tregon se mendimi i popullsisë nuk ka qenë pjesë e materialit mbi të cilin është ndërtuar fillimisht zgjidhja territoriale, por synohet t’i bashkëngjitet asaj në një fazë të mëvonshme”.
Një tjetër procedurë që duhet respektuar sipas Veliajt ishte diskutimi i reformës në Këshillin Bashkiak, por atij iu refuzua prania nga SPAK. Veliaj thotë se kjo është një tjetër provë që izolimi i tij në burg e ka paralizuar Bashkinë e Tiranës.
“Kryetari duhet të kishte mundësinë të paraqiste mendimin e tij përpara Këshillit, ndërsa Këshilli, pa qenë në asnjë mënyrë i detyruar prej tij, duhet të kishte mundësinë ta merrte atë në konsideratë gjatë formimit të qëndrimit të vet. Kjo është bërë objektivisht e pamundur. Kryetari ndodhet nën një masë që pengon ushtrimin normal të mandatit dhe kërkesa për t’i mundësuar pjesëmarrjen në këtë proces është refuzuar nga SPAK. Kështu krijohet një kontradiktë institucionale. Kuvendi kërkon ushtrimin e një funksioni nga organi i zgjedhur vendor, ndërsa efekti i një mase të marrë në kuadër të kompetencave të një organi tjetër shtetëror e bën të pamundur ushtrimin efektiv të këtij funksioni”.
Duke thënë se propozimi i mazhorancës nuk ofron ende të gjitha garancitë dhe elementet normative të nevojshme për miratimin e një reforme me këtë rëndësi kushtetuese, Veliaj rendit nëntë kërkesa për Kuvendin dhe grupin nismëtar për Reformën Territoriale. Ai kërkon pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, rishikim të formulës së përfaqësimit proporcional të qyteteve dhe harmonizim të plotë ligjor përpara se të hidhet firma mbi hartën e re territoriale.
Edhe disa bashki të tjera socialiste janë shprehur kundër projektit për ndarjen e re territoriale.
Shumica do të duhet të vendosë nëse do t’i marrë në konsideratë këto kundërshti, apo do ta kalojë atë në parlament, ku i duhen 84 vota.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 