Seanca gjyqësore për dosjen e Ilir Metës nuk u mbajt as këtë të enjte, 1 tetor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Shkak për shtyerjen vijon të jetë bojkoti i avokatëve, të cilët kundërshtojnë rregulloren e GJKKO-së, veçanërisht kufizimet që lidhen me përdorimin e celularëve gjatë seancave. Edhe pse protesta e mbrojtjes është zgjeruar dhe tashmë përfshin edhe seancat për caktimin apo ndryshimin e masave të sigurisë, gjykata nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj rregullores.
Situata vijon edhe pas përplasjeve të brendshme në GJKKO, ku disa gjyqtarë kanë shprehur qëndrime kundër kryetarit në detyrë, Erion Bani.
Në seancën e zhvilluar sot, avokatët e Ilir Metës u gjobitën me 5 mijë lekë të rinj, ndërsa për kreun e Partisë së Lirisë u pezulluan sërish afatet e paraburgimit.
Ilir Meta ishte i pranishëm në seancë dhe, gjatë qëndrimit të tij, deklaroi se situata, sipas tij, lidhet me “porosi të Ergys Agasit nga njerëzit e Agasit”.
“Sikurse e dini nga përvoja në këtë çështje, ashtu sikurse edhe prokurorët e dinë, unë kam qenë i pranishëm qe prej ditës së parë. Në mënyrë abuzive përdoret mungesa e avokatëve për pezullimin e afateve të paraburgimit, në mënyrë që të mos më njihet asnjë ditë burg. Nuk e kuptoj konfliktin mes avokatëve dhe Gjykatës.
Unë nuk mund ti kërkoj avokatit tim të humbas licencën. E kundërshtoj kërkesën e prokurorisë që të pezullohet ecja e afateve të paraburgimit. Unë jam këtu dhe jam që të vijoj gjykimi, ose ndryshe ky konflikt është i stisur. Unë kam kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit, unë nuk jam shkak i këtij konflikti. Në përfundim, Gjykata e Posaçme në pamundësi për të vijuat gjykimin e shtyu atë, por gjobiti avokatët dhe pezulloi afatet e masës së Metës. Konflikti është i stisur nga shokët e Ergys Agasit”, ka thënë Meta.
Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion dhe ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024.
Arrestimi i tij ishte mjaft i bujshëm, pasi ai u vu në pranga nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit teksa po shkonte me makinën e tij në selinë e partisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
